Michael Succow, biologu dhe ekologjisti i famshëm gjerman i ka kërkuar qeverisë shqiptare të nisë sa më shpejt projektin për kthimin e Vjosës në Park Kombëtar.
Sipas letrës së botuar nga Deutche Welle, Succow, fitues i çmimit nobel për ruajtjen e mjedisit kritikoi planin e qeverisë për ndërtimin e 30 HEC-eve të reja përgjatë lumit, duke i konsideruar rrezik për ekosistemin.
“Vjosa është një dhuratë e madhe jo vetëm për banorët e Shqipërisë, por për të gjithë evropianët dhe më gjerë”, shkruan ekologjisti 79-vjeçar ndër të tjera në letrën e tij.
Në letrën e tij drejtuar edhe BE-së, Succow u bën thirrje edhe Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të mbështesin me fonde dhe me ekspertizë Shqipërinë në qëllimin e saj për të krijuar Parkun e Parë Kombëtar të një lumi të virgjër në Evropë:
“Kjo do të ishte një arritje gjigante për natyrën e Evropës dhe dhe mund të shërbente si model për BE-në” shkruan ndër të tjera Succow.
Edhe më parë 3 organizata mjedisore Riverwatch, EuroNatur dhe EcoAlbania propozojnë krijimin e një parku kombëtar për të shpëtuar lumin Vjosa nga hidrocentralet ka shtyrë.
Sipas tyre parku mund të jetë me një sipërfaqe prej 111,600 hektarësh, çka do ta bënte atë më të madhin në Shqipëri duke tejkaluar parqe si ai i Bredhit të Hotovë-Dangëllisë dhe Shebenik-Jabllanicës. Nga kjo zonë e stërmadhe pjesët më të rëndësishme mendohet të jenë pjesa Tepelenë-Bënçe, Kalivaç-Poçem dhe grykëderdhja e Vjosës në detin Adriatik.
Në shtator, kryeministri Rama njoftoi se qeveria kishte shpallur pjesën e sipërme të Vjosës “Park Kombëtar.
Në mbështetje të mbrojtjes së Vjosës ka dalë dhe aktori Leonardo Dicaprio. Një vit më parë, kur qindra qytetarë e aktivistë nisën protestat kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë, aktori DiCaprio mbështeti protestat dhe bëri thirrje që të ndalohet shkatërrimi i lumit të Vjosës.