Presidenti Meta thotë se nuk ka dhënë autorizimin për financimin e rrugës do të lidhë Vlorën me Radhimën dhe Orikumin pasi nuk është respektuar procedura kushtetuese nga ana e qeverisë.
Në një letër, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, presidenti shprehet se në negociatat mes qeverisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, nuk është marrë autorizimi i tij për plotfuqinë që u jep Ministri i Jashtëm, palëve negociuese.
Plotfuqia është dokumenti që lëshohet nga autoriteti kompetent i Republikës së Shqipërisë, që autorizon një ose disa zyrtarë të përfaqësojnë shtetin apo Qeverinë në zhvillimin e negociatave, parafimin dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare. Ajo jepet nga Ministri i Jashtëm pas autorizimit të presidentit.
Në rastin konkret, sipas Metës, nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë.
Reagimi i presidentit vjen pasi më herët, kryeministri Rama e akuzoi atë se po bllokon fondet për ndërtimin e rrugës që do të lidhë Vlorën me Radhimën dhe Orikumin.
Në letrën e tij, Meta shkruan ndër të tjera se ka një mospërputhje mes qëndrimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe deklaratave të Ramës.
Për më tepër, Kryeministri, në një deklaratë publike të datës 4.01.2021, ka cituar ndër të tjera se, “[…] qysh nga fillimi i nëntorit presim plotfuqinë një autorizim të Presidentit, pasi kemi bërë gjithë negociatën me Fondin Saudit. Është bllokim total, sepse në momentin që nuk jepet plotfuqia ne nuk e materializojmë dot”.
Nga kjo deklaratë konstatohet qartë se jemi përpara një mashtrimi të rëndë që i bëhet qytetarëve shqiptarë, dhe Institucionit të Presidentit të Republikës, sepse:
– nga njëra anë, ministri i Finanacve dhe Ekonomisë konfirmon me shkresë se nuk janë zhvilluar negociata për këtë projekt; ndërkohë që,
– nga ana tjetër, Kryeministri citon se ka realizuar një proces negocimi.
Sipas Metës, kryeministri synon të përfshijë dhe Presidentin e Republikës në shkelje të rënda kushtetuese me qëllim, që këtë model antikushtetutshmërie, ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme, që sipas tij qeveria ka në proces.