Kryeministri Edi Rama akuzoi Presidentin Ilir Meta për bllokimin e financimit të rrugës Vlorë-Orikum.
Rama i quajti se arsyet e presidentit si “të qash e të qeshësh”. Ai nuk u përgjigjë në lidhje me pretendimet e Metës për mos marrjen e autorizimit përpara negociimit të marrëveshjes.
Në një shënim në Twitter, Rama u shpreh se do të presë edhe pak që Meta të lexojë sqarimet që i ka nisur qeveria.
“Ilir Meta thotë se realizimi i një projekti të hartuar prej kohësh për infrastrukturën turistike të Vlorës qenka “qëllim selektiv elektoral”, prandaj ai e mbaka bllokuar prej muajsh autorizimin formal për marrjen e financimit të siguruar nga Fondi Saudit! Të qash e të qeshësh!
Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën! Kam pritur me durim e do presim edhe pak që IM të lexojë sqarimet që i kemi nisur, para se të flasim me Vlorën!”
Në një letër, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Meta deklaroi se nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje në emër të Republikës së Shqipërisë.
Reagimi i presidentit erdhi pasi më herët, kryeministri Rama e akuzoi atë se po bllokon fondet për ndërtimin e rrugës që do të lidhë Vlorën me Radhimën dhe Orikumin.