“Bomba me sahat” e mbeturinave në Porto-Romano

Nga Geri Emiri
“Bomba me sahat” e mbeturinave në Porto-Romano

“Problemi më urgjent mjedisor në Bashkinë e Durrësit është depozitimi dhe trajtimi i mbetjeve të ngurta. Depozita e Porto‑Romanos është kthyer në një bombë me sahat. Në këtë kontekst zgjidhja e depozitës së re të mbetjeve të ngurta është urgjente dhe strategjike”, ishte ky konkulzioni që nxorri në muajin shkurt 2016, Bashkia Durrës dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në “Analizën dhe Vlerësimin e Territorit”.

“Bomba me sahat” është vendosur rreth 3-4 kilometra në veri të qytetit të Durrësit. Ajo zë një sipërfaqe prej 80.000 mme mbeturina urbane, inerte, mbetje të rrezikshme dhe kafshë të ngordhura. Çdo ditë për ta “pasuruar” strukturën e kësaj ‘bombe’ kontribuojnë tri bashki: ajo e Durrësit, Shijakut dhe e Kavajës. Kamuflimi i saj është arritur duke lejuar ndërtimin e banesave aty pranë, në fushën e Porto-Romanos.

Sipas Planit Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve për bashkinë e Durrësit 2010-2025, qyteti i depoziton mbetjet e tij në të vetmen fushë plehrash në Porto-Romano, që është vendhedhje për nga standardet, e cila është hapur që në fillim të viteve’ 90 dhe është parashikuar të ketë jetëgjatësi për 25 vjet (deri në vitin 2015).

Ndotja e ajrit dhe nëntokës

Nga monitorimet e gjashtë‑mujorit të parë të vitit 2012,  cilësia e ajrit në bashkinë Durrës paraqitej problematike, si pasojë e rritjes së grimcave PM 2.5 dhe PM 10. Sipas “Analizës dhe Vlerësimit të Territorit”, tek faktorët që kontribuojnë në këtë situatë renditej edhe djegia e mbeturinave në  zonën e vendgrumbullimit të mbetjeve.

Ndërsa lidhur me ndotjen e ujërave, renditej edhe “vendet e pasigurta të hedhjes së mbeturinave si Porto-Romano, përsa i përket ujërave nëntokësore dhe zonave akuifere (shtresë nëntokësore toke e përshkueshme nga uji dhe që mban ujë). Po ashtu depozita e Porto-Romanos dhe depozitat e deritanishme të njësive administrative, rrezikojnë të ndosin napat freatike (zona e ngopjes, një “rezervuar”, në të cilin relativisht të gjitha poret janë të ngopura me ujë) për arsye të cektësisë së tyre.

Ndërsa sipas Planit Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve, performanca mjedisore e vendhedhjes është katastrofike, për shkak të çdo aspekti të emetimeve potenciale. Vendhedhja vuan nga ndotja e mbetjeve, lëngjet që rrjedhin nga vendhedhja përfundojnë në ujërat nëntokësore dhe në det, emetimet e pakontrolluara të biogazrave, e gjithashtu vendi merr flakë rregullisht në kohë të thatë, duke shkarkuar përqëndrime të larta të dioksinave dhe furaneve.

Por nga vëzhgimi disamujor i Citizens Channel, rezulton se mbeturinat digjen pa ndërprerje përgjatë 24 orëve, në çdo stinë.

Djegia e mbeturinave në vendhedhjen e Porto-Romanos. Foto: Geri Emiri / Citizens Channel

“Vendgrumbullimi i mbeturinave në Porto-Romano është një depo helmi me dyer të hapura”, shprehet për Citizens Channel, Xhemal Mato, ekspert i mbetjeve të ngurta.

Më tej Mato shton se vendgrumbullimi është jashtë çdo standardi, pa rrethim, kafshët përdorin ujin e ndotur për të pirë, e më tej ato derdhen në det, duke ndikuar edhe tek bota ujore, për të cilën gjithashtu nuk ka studime për nivelin e ndotjes.

Ndërsa Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale në bashkinë Durrës, na bën me dije se nuk ka kapacitet për të kryer studime mbi nivelin e ndotjes.

Ujrat e gjeneruar në vendhedhjen e mbeturinave derdhen të papërpunuara në Adriatik

Njerëzit dhe kafshët jetojnë me mbeturinat

Nëse shkon në orët e para të mëngjesit në vendgrumbullimin e mbeturinave, mund të mendosh se ajo është një minierë. Me një dritë të vendosur në kokë, të rriturit punojnë edhe përgjatë natës për të grumbulluar bidona plastikë, kartona, kanaçe dhe hekura. Nga ky aktivitet ata shprehen për Citizens Channel se fitojnë rreth 10 mijë lekë të vjetra në ditë.

Ndërsa fëmijët i gjen kryesisht përgjatë gjithë ditës. Disa pasi mbarojnë shkollën, e të tjerë “mësimet” i marrin duke gërmuar midis mbeturinave të tri qyteteve. Makinat që sjellin mbeturinat janë “transporti i tyre urban”.

“Kjo është makina e plehrave të Kavajës, do ta ndaloj që të hipi dhe të shkoj tek vendgrumbullimi”, shprehet një i mitur që ka dërguar për të shitur kanaçet dhe hekurat.

Femijët përdorin automjetet e mbeturinave si mjete transporti. Foto: Geri Emiri / Citizens Channel

Këtu punojnë mbi 50 persona në ditë, të cilët kryesisht banojnë në zonën e Porto-Romanos ose Shën Vlashit, e që origjinën e kanë nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Banorët aty pranë, përgjatë rrugës “Kuvendi Françeskan”, vendgrumbullimin e mbeturinave e kanë parë si mundësinë e vetme të punësimit dhe sot shprehen se kasollet i zëvendësuan me shtëpi me tulla, duke punuar tek mbeturinat. Kjo megjithë koston e lartë shëndetësore, si sëmundje të ndryshme infektive dhe thyerje gjymtyrësh.

Ndërsa banorët e Porto-Romanos nuk kursehen të tregojnë se djegia e mbeturinave po i helmon çdo ditë. Shkolla 9-vjeçare “Met Hasa”, gjendet vetëm pak minuta larg këtij vendgrumbullimi.

Kafshët hyjnë dhe dalin lirisht në këtë vatër sëmundjesh, duke ngrënë mbeturina dhe pirë ujërat e ndotur. Lopë, qen, e kryesisht derra, gjenden kudo. Për ta ka mjaftueshëm ushqim! Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale na bën me dije se vetëm për vitin 2015 janë depozituar gjithsej rreth 67.000 ton mbeturina.

Sipas Ligjit për Shërbimin Veterinar, në nenin 54 shkruhet; se strukturat veterinare në njësitë e qeverisjes vendore duhet: c) të përcaktojnë kullotat dhe vendet e pirjes së ujit, në varësi të situatës epidemiologjike dhe, nëse është e nevojshme, të ndalojnë përdorimin e tyre; ç) Të mbajë nën kontroll dhe të zbatojë legjislacionin në fuqi për eliminimin e qenve dhe maceve të rrugës; e) të marrin masa për rrethimin dhe ruajtjen e pikave të grumbullimit të ujërave të zeza dhe të ndalojnë hyrjen e kafshëve atje.

Nga vëzhgimi i Citizens Channel, rezulton se këto pika nuk janë zbatuar, ku kullota për këto kafshë është vendgrumbullimi i mbeturinave dhe vendi i pirjes së ujit, është kanali i ujërave të ndotura dhe të zeza.

Tek vendgrumbullimi i mbeturinave dhe tek kanali i ujërave të zeza nuk ka asnjë rrethim dhe kafshët lëvizin lirisht në to, si dhe nuk ka asnjë tabelë që e ndalon këtë.

Bashkia Durrës na bën me dije se, “nga inspektimet e shpeshta të kryera nga inspektoriati veterinar i Bashkisë Durrës, është vërtetuar që në këtë zonë ka kafshë (kryesisht derra) që kullosin në vendgrumbullimin e Porto-Romanos. Kjo zonë nuk është e përshtatshme për kullosjen e tyre, por këto kafshë nuk dërgohen në thertoren e qytetit… Këto kafshë i përdorin banorët për konsum personal dhe nga ana e inspektoriatit veterinar kjo është e pakontrollueshme”.

Por ngritja e “stallave” jashtë standardeve higjeno-sanitare pranë vendgrumbullimit dhe dëshmitë e banorëve se kopetë e kafshëve shkojnë për shitje, nuk e justifikojnë përdorimin për konsum vetjak.

Vendgrumbullimi jashtë çdo standardi!

Në bashkinë e re të Durrësit për momentin mbledhja dhe depozitimi i mbeturinave urbane bëhet nga një mori institucionesh: dy ndërmarrje publike pastrimi (Bashkia Durrës), dy kompani private dhe tre drejtori sherbimesh në nivel njësie administrative. Bashkia e Durrësit është autoriteti kryesor përgjegjës për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve në qytetin e Durrësit. Të dyja ndërmarrjet drejtohen nga Këshilli Bashkiak dhe financohen nga buxheti i Bashkisë.

Sipas “Analizës dhe Vlerësimit të Territorit”, përgatitur nga Bashkia Durrës dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me ndarjen e re administrative territoriale, ka lindur nevoja që këto dy ndërmarrje të riorganizohen dhe të mbulojnë të gjithë territorin e bashkisë së re.

Siç duket edhe nga vëzhgimi i Citizens-Channel dhe bazuar në konstatimin tek Plani Lokal i Menaxhimit të Mbetjeve, vendgrumbullimi i mbeturinave në Porto-Romano nuk ka: shtresë mbrojtëse për ujin, për të shmangur penetrimin nëntokësor të lëngjeve që rrjedhin në vendgrumbullim; barriera kufitare; sistem grumbullimi për infiltrimin e mbetjeve; impiant të grumbullimit të ujërave sipërfaqësorë (për ujin nga shiu); rrjet për të mbledhur biogazrat; mbulim ditor të mbetjeve për të shmangur erërat dhe djegien e mbetjeve; rrjet rrugësh të brendshme; zyra në vendhedhje dhe impiant për ndarjen manuale të mbetjeve.

Gërmuesit e mbetjeve qëndrojnë në majë të mbetjeve për të ndarë rrymat e mbetjeve që ju interesojnë; rrethim me gardh të fushës nuk ka; si dhe mungon sistemi i peshimit dhe një lavazh për mjetet që dalin nga aty.

Landfilli i Manzës si zgjidhje?

Një studim i mbështetur nga Banka Botërore (IFC – “International Finance Corporation”), ka përcaktuar ndërtimin e një landfilli bashkëkohor rajonal për Qarkun e Durrësit, në fshatin Radë, Njësia Administrative Manzë. Me datë 18.11.2014, Ministria e Mjedisit së bashku me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës kanë publikuar në portalin e Agjencisë së Prokurimit Publik hapjen e thirrjes për oferta për dhënien me koncesion të “Landfillit për Qarkun e Durrësit”, referuar nenit 48 të ligjit 125/2013 “Për koncesionin dhe Partneritetin Publik Privat”. Sipas informacioneve të Citizens Channel, ky proces ka ndaluar.

“Një proces i ri ka filluar për ndërtimin e landfillit të ri sanitar, në një sipërfaqe prej 15 Ha. Ky shërbim do të mbulojë të gjithë territorin e bashkisë Durrës dhe do të krijojë mundësinë e hapjes së 1500 vendeve të reja të punës, kostoja e tij është parashikuar 6.5 milion euro”, shkruhet në “Analizën dhe Vlerësimin e Territorit”.


Ky artikull është botuar më parë tek Citizens Channel.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>