Shefi i politikës së jashtme të BE-së Borrell ka bërë thirrje për zgjedhje të reja në Bjellorusi nën mbikëqyrjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin (OSBE) në Evropë.
“Zgjidhja më e mirë do të ishte përsëritja e votimeve nën kontrollin e OSBE-së”, shkroi Josep Borrell në një opinion për gazetën franceze Journal du Dimanche.
“Në ndërkohë, ne nuk mund të shprehim vetëm shqetësimet tona; ne duhet të sanksionojmë ata që janë përgjegjës nëse BE dëshiron të jetë konsistente”, tha ai.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të premten se ai i kishte kërkuar ndihmën e Presidentit rus Vladimir Putin për të bindur Alexander Lukashenko të pranonte ndërmjetësimin nga OSBE.
Krerët e BE-së kanë dënuar rezultatin e diskutueshëm të zgjedhjeve në Bjellorusi. Lukashenko, i cili ka qenë president që nga viti 1994, pretendoi se fitoi 80 përqind të votave. Kjo deklaratë shkaktoi protesta masive në bjellorusi, të cilat u shtypën me dhunë nga forcat e sigurisë. Kryetarja e opozitës Svetlana Tikhanovskaya fitoi zyrtarisht 10 përqind të votave, por mbështetësit e saj thonë se në realitet, ajo e mundi Lukashenkon.
Udhëheqësit e BE-së lajmëruan vendosjen e sanksioneve për njerëzit përgjegjës për dhunën kundër protestuesve dhe mashtrimet e zgjedhjeve.
Në artikullin e tij për Journal du Dimanche, Borrell shtoi se Moska “synonte të parandalonte evropianët që të siguronin ndihmë për shoqërinë civile që është revoltuar kundër zgjedhjeve të manipuluara presidenciale”.