Bota e kuptoi dhe tani është e shqetësuar për Tiranën

Bota e kuptoi dhe tani është e shqetësuar për Tiranën

Legjenda e kryeministrit piktor, antipolitik e mbështetur nga Blair dhe Soros nuk po arrin më të mbulojë mangësitë e qeverisë Rama. Sinjalet nga organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësitë e ndryshme europiane po shtohen çdo ditë e po bëhen përherë e më të qarta.

Në diplomaci të gjithë premtojnë miqësi dhe ndihmë, por nëse ndihma nuk vjen, atëherë duhet ta kuptosh mesazhin; nëse nuk e kupton, mesazhi përcillet në forma të tjera, më pak elegante; nëse vazhdon të mos kuptosh, atëherë del dikush që, në vend që të të flasë në privatësinë e një takimi diplomatik, të godet me artikuj apo deklarata publike që të nxjerrin të keq; nëse nuk reflekton as atëhere, fillojnë të gjëmojnë topat, ose fillojnë sabotimet ose dalin dosjet.

Mesa duket, qeveria Rama e ka mbaruar valsin me të gjithë dhe i ka lënë të pakënaqur shumicën e partnerëve të huaj. Shumë prej tyre ndjehen të injoruar, zhgënjyer e madje të përdorur. Kryeministri ynë, që e mban veten për piktor dhe jo politikan, ka arritur të zhgënjejë, njëri pas tjetrit, Obamën, Merkelin, Erdoganin, Hollanden, Junkerin, Stoltenbergun, Vuçiçin, madje edhe Renzin.

Një sërë deklaratash arrogante dhe të gënjeshtërta të tij dhe disa anëtarëve të kabinetit të tij, duket se kanë qenë pika e fundit që e mbushi kupën. Tashmë, duket sikur askush nuk dëshiron më të nëpërkëmbet nga disa ballkanas të llastuar. Ka ardhur koha e hakmarrjes, ose më saktë e kushteve të ngurta, të pa negociueshme, të cilat qeveria, ose duhet t’i pranojë siç janë, ose do të izolohet.

Kushtet që po i vihen po shoqërohen me “bombardime”: Daily Mirror, The Sun dhe La Stampa publikuan artikuj mbi financimin e terrorizmit nga droga që lulëzon në Shqipëri; ambasadorët kryesorë kanë hyrë me të dyja këmbët në futbollin e brendshëm politik; FMN e ka hequr uniformën e arbitrit financiar dhe po dënon ashpër politikat klienteliste ekonomike, që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Në një situatë botërore shumë delikate, perëndimorët, veçanërisht europianët, nuk mund t’i lejojnë më vetes të kenë në Shqipëri—vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE—një qeveri të papërgjegjshme, lakmitare e të paaftë, e cila interesin e përbashkët të stabilitetit dhe sigurisë e sakrifikon për të përmbushur etjen për pasurim dhe protagonizëm të disa djemëve të përkëdhelur, që të ardhmen e vendit të tyre e luajnë kumar me banditë.

Por nëse ata do të vazhdojnë kështu, së shpejti do të rikthehet regjimi i vizave dhe ndoshta akoma më keq.

Sot në Tiranë vjen ministri i jashtëm Italian Gentilioni. A do t’ia tregojë edhe atij pikturat, Kryeministri?

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>