Dy minatorë u plagosën sot në minierën e kromit në Bulqizë. S.Z, 50 vjeç dhe M.Gj, 31 vjeç, u aksidentuan gjatë punës në nivelin e 17-të të minierës.
Të dy të aksidentuarit ndodhen në spitalin e Peshkopisë dhe po marrin ndihmë mjekësore.
Miniera e kromit në Bulqizë njihet si një prej më të rrezikshmeve dhe në kushte të papërshtatshme për të punuar, por kjo nuk ka bërë që institucionet përkatëse të vënë përpara përgjegjësisë kompanitë koncesionare.
Gjatë muajve të fundit, shtatë minatorë kanë humbur jetën në këtë minierë, katër prej të cilëve kanë vdekur për të njëjtin shkak: rënie e masivit të shkëmbit.
Më 11 maj 2018, një minatori 62 vjeçar humbi jetën pasi një masiv shkëmbor i ra sipër teksa po punonte në galerinë D të minierës.
Në mars 2018, një minator 66 vjeçar humbi jetën, si pasojë e shëmbjes së një masivi shkëmbor.
Në nëntor 2017, viktima ishte një minator 20 vjeçar, ndërsa në tetor një 33 vjeçar.
Në shkurt, tre minatorë kinezë mbetën të bllokuar për disa ditë dhe më pas u nxorën të vdekur nga miniera e kromit në Bulqizë. Ata humbën jetën si pasojë e një shpërthimi gazi. Tre minatorë të tjerë u plagosën gjatë këtij aksidenti.
Megjithë vdekjet e shumë minatorëve në minierat e kromit në Bulqizë, asnjë drejtues apo pronar i kompanive koncesionare nuk është ndjekur penalisht në tre vitet e fundit.