Çështja ndaj botuesit Henri Çili dhe rreth 30 të tjerëve, të arrestuar ditët e fundit prej operacionit policor “Mezhgorani”, i ka kaluar Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Të dielën, Gjykata e Përmetit, pasi dha masat e sigurisë ndaj të arrestuarve – ku vendosi të lirojë Çilin me detyrim paraqitje, – shpalli mos kopetencë për shqyrtimin e çështjes.
Gazetarja Dorjana Bezat raportoi se Prokuroria e Përmetit ka dyshime se gjyqtarja Myrvete Shkreli dekonspiroi aksionin duke vënë në dijeni Henri Çilin.
Pronari i Universitetit të Tiranës akuzohet se në këmbim të mbi 750 mijë eurove dhe disa pronave ka marrë përsiper t’u sigurojë mbështetje dhe lehtësim të dënimeve Arbjon dhe Alban Alikos, vrasës të policit Ibrahim Basha në vitin 2015.
Në media u raportua se përveç vëllezërve Aliko, Çili i kishte premtuar të njëjtën gjë, për 75 mijë euro, edhe familjarëve të Feti Yzeirajt, i dënuar përjetë.
Policia tha se kishte përgjuar telefonata të ndryshme të Çilit dhe një takim me zyrtar të drejtësisë, zyrtar i cili në media u përfol se ishte Ardian Dvorani, relator i çështjes së vëllezërve Aliko.
Çili është mbrojtur duke shprehur se ka një studio ligjore që “ia legjitimon ndërmjetësimin” dhe se “biseda të kësaj natyre janë brenda profilit të punës së kësaj studioje”. Ndërkohë Gjykata e Lartë përgënjeshtroi pretendimet se Dvorani është takuar me Çilin.
Vendimet për të arrestuarit e tjerë
Përveç Henri Çilit, të dielën, Gjykata e Përmetit lehtësoi masën e sigurisë edhe për 10 të arrestuar të tjerë si: Shpresa Gjoçaj, Liko Jazi, Renato Toska, Kejsi Meço, Edmond Xaka, Kristina Bashi, Lisandër Alikollari, Entilon Kamberaj, Abaz Dani, Daniel Yzeriaj.
Juristi Ilir Korbi, ortaku i Çilit, Betim Shkupi dhe biznesmeni Besnik Fishta u lanë në arrest shtëpie.
Ndërsa në arrest me burg u lane (16 persona): Amarildo Aliko (kushëri i vëllezërve Aliko, dënuar për vrasjen e policit Basha), Eraldjan Hodo, Xhevair Sejati, Neuland Miçi, Skënder Toska, Armando Hajdinaj, Sidi Ramaj, Erment Beqaraj, Askerd Malke, Elidon Alikollari, Ervin Çela, Antonio Hasa, Adriatik Rrakaj, Aristidh Çoli, Klea Pëllumbi, Kadi Dervishi.
Operacioni Mezhgorani
Policia thotë se 6 muajt e fundit, në kuadër të operacionit “Mezhgorani”, ka shoqëruar më shumë se 50 persona duke arrestuar 36 prej tyre, të cilët i akuzon për: trafik droge, armëmbajtje pa leje, moskallëzim krimi, organizim lojërash fati, pastrim parash, fshehje të ardhurash, mashtrim, falsifikim parash, ushtrim i ndikimit mbi zyrtarë dhe shpërdorim detyre.
Të arrestuarit janë nga Tirana, Përmeti, Tepelena, Shkodra, Ballshi, Patosi, Kruja, Fushë-Kruja dhe Lazarati. Sipas BIRN, 12 të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë.
Në këtë operacion janë angazhuar 15 grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, Fier dhe Tiranë, së bashku me Drejtoritë e Policisë Durrës, Elbasan dhe Gjirokastër.
Policia thotë se u kapi të arrestuarve 130 kilogramë kanabis, armë të ndryshme si 5 automatikë, 10 kallëpë tritoli 2 granata dhe mbi 600 fishekë. Të arrestuarve, të cilët nuk akuzohen për “grup kriminal”, u janë sekuestruar gjithashtu 20 makina, 40 telefona celularë 10 milionë lekë dhe 7500 euro.