Çështja e pronësisë së Kopshtit Botanik do të gjykohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë. Kështu vendosi Gjykata Administrative e Apelit, e cila përcaktoi se Shkalla e Parë e Administratives ka kopetencë për të shqyrtuar dhe zgjidhur këtë çështje.
Universiteti i Tiranës (UT) saktësoi për BIRN se “Gjykata nuk ka rrëzuar çështjen”, por i ka dhënë drejtim duke “përcaktuar kompetencën funksionale”:
“Padia e ngritur nga UT […] do të gjykohet nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë. Gjykata Administrative e Apelit nuk ka rrëzuar padinë […], por ka përcaktuar kompetencën funksionale. Është vendosur vetëm për kompetencën, dosja siç është kalon në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe aty do të gjykohet.”
UT thotë se Bashkia Tiranë po kërkon marrëveshje pa përfunduar gjyqi, por Rektorati nuk do të nënshkruajë asgjë pa u gjykuar çështja.
Në korrik të këtij viti qeveria vendosi t’i kalonte Kopshtin Botanik, që zotërohej nga UT, Bashkisë Tiranë. Vendimi u mor pa konsultime me UT apo qytetarët. Për këtë ai u kundërshtua menjëherë dhe Rektorati ngriti padi në Gjykatën Administrative të Apelit.
Në fund të muajit tetor Gjykata e cilësoi padinë të ligjshme dhe ngriti trupë gjyqësore, e cila do të vendoste mbi kopetencën për shqyrtimin e saj.
Kopshti Botanik nisi të ndërtohej në vitet ‘60 nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Ai përfshin rreth 15 hektarë bimësi dhe gjelbërim pranë parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. Në tërësi Kopshti ka pasur rreth 2 mijë specje bimësh, të cilat kujdeseshin dhe ndiqeshin për studime nga Fakulteti.
Tjetërsimi i zonave përreth me pallate dhe vila ka shqetësuar qytetarët, të cilët e kanë përkrahur kundërshtinë e UT ndaj Bashkisë Tiranë. Kjo e fundit pretendon se do ta mirë-administrojë Kopshtin me një projekt, i cili nuk është konsultuar as me UT as me qytetarët.
Sipas një komunikimi për BIRN, UT nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje me Bashkinë Tiranë deri sa gjyqi të jetë përfunduar.