Çështja Habilaj, ish-zëvendësministrja Gjebrea pritet të dëshmojë sot në Prokurori

Çështja Habilaj, ish-zëvendësministrja Gjebrea pritet të dëshmojë sot në Prokurori

Ish-zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea pritet të dëshmojë sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për lidhjen e saj me organizatën kriminale të vëllezërve Habilaj.

Kjo mendohet të jetë hera e dytë që Zonja Gjebrea është thirrur nga Prokuroria, edhe pse deputetja socialiste mohoi të ketë dëshmuar javën e kaluar.

Zonja Gjebrea dyshohet se ka udhëtuar me ish-Ministrin e Brendshëm Tahiri jashtë Shqipërisë me të njëjtën Audi A8 që Tahiri kishte shitur tek vëllezërit Habilaj.

Disa ditë më parë, Opinion.al publikoi dokumentet që tregojnë se burri i deputetes, Arian Hoxha, i cili ka qenë këshilltar i Ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri, kishte gënjyer në formularin e tij të vetëdeklarimit. Hoxha ishte dënuar në vitin 1995 nga Gjykata e Tiranës me 8 muaj dhe 25 ditë burgim për falsifikim dokumentesh.

Zoti Hoxha nuk e përmendi këtë vendim në formularin e tij të dekriminalizimit, ç’ka përbën vepër penale.

Dje, në një intervistë me Ilva Tare, Elona Gjebrea mohoi të gjitha akuzat kundër saj dhe burrit të saj:

“Në punën time si Zv. Ministre e Punëve të Brendshme, si në çdo detyrë tjetër të kryer e në përmbushje nga ana ime, kam respektuar e respektoj maksimalisht ligjet e shtetit e rregullat më të larta të moralit tonë shoqëror. Përpjekjet për të baltosur politikisht emrin tim e të familjes, marrin shkas nga asgjëja e kundërligjshme në veprimet e mia, mpleksen në mënyrë spekulative  nga çështje penale të telekomanduara, e shiten mediatikisht të transformuara në vërtetësi, për çdo përfitim të kundërshtarëve të mi.

Por ngjizja e një genjeshtre si kjo e shpërndarë në komunikimet e hapura e të fshehura të përfaqësueseve të PD-së, për gjoja lidhje të miat me të dyshuar për vepra të rënda penale siç janë  Habilajt e grupi i tyre, meriton një përgjigje të drejtpërdrejtë e të qartë nga unë. Asgjë s’më lidh me këta e të tjerë subjekte të proceduar brenda apo jashtë vendit”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>