Kryeministri Rama u kërkoi organeve përkatëse të hetojnë dhe zbardhin deri në fund historinë e vëllezërve trafikantë të lëndëve narkotike Habilaj, dhe përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri në këtë ngjarje. Në një postim në Facebook Rama shkruan:
“Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve!
Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet.
Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.”
Reagimi i Kryeministrit Rama vjen një ditë pas arrestimit të bujshëm në Katania të Italisë të Moisi Habilajt, kushuri i Zotit Tahiri, për trafik ndërkombëtar droge dhe bërjes publike të provave për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri në trafik, si mbrojtësi i Moisi Habilajt dhe dy vëllezërve të tij.
Zoti Tahiri i ka mohuar gjithnjë akuzat ndaj tij. Në shtator të vitit 2015, atëherë ende në postin e Ministrit të Punëve të Brendëshme, Zoti Tahiri tha se do të kërkonte falje publike nëse vëllezërit Habilaj do të rezultonin se janë trafikantë:
“Unë do të ndihesha i goditur moralisht nëse përsonat në fjalë rezultojnë se janë trafikantë, unë do i kërkoj falje publikut, i ka shitur makinën disa trafikantëve. Do i thoja publikut kam gabuar se i kam shitur makinën disa trafikantëve.”
Një ditë më parë, me bërjen publike të arrestimit të Moisi Habilajt, Zoti Tahiri kërkoi “drejtësi deri në fund e dënim maksimal “ dhe sulmoi kryetarin e PD-së Basha për akuzat për bashkëpunim me vëllezërit trafikantë.
Zoti Tahiri pritej të shkonte sot në Prokurorinë e Përgjithshme për një takim me kryeprokurorin Llalla, por burime nga prokuroria bëjnë me dije se ky takim nuk është zhvilluar. Ish-Ministri ka njoftuar se sot në orën 16:00 do të mbajë një konferencë për shtyp.