Çështja Shullazi, dështon seanca gjyqësore

Nga Exit News
Çështja Shullazi, dështon seanca gjyqësore

Seanca gjyqsorë për bandën e Emiljano Shullazit dështoi sërish sot, pasi njëri prej të akuzuarve Blerim Shullazi deklaroi se është sëmurë dhe kërkoi shtyrje të seancës.

Gjatë seancës së sotme pritej që prokuroria e Krimeve të Rënda të shpallte pretencën për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Endrit Qyqjen, Endrit Zelën dhe Blerim Shullazin.

Po sot u mësua dhe grupi i prokurorëve që përfaqësonte shtetin. Ai përbëhet nga Donika Prela, drejtuese e Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, Besnik Muçi dhe Anton Martini.

Kujtojmë se ditët e fundit, dosja e bandës Shullazi u bë shkak për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 10 prokurorëve, zhvendosjen në prokuroritë e rretheve të tre të tjerëve dhe shkarkimin e një tjetër prokurori.

Prokurorët që tani janë nën hetim disiplinor, kundërshtuan vendimin e Markut dhe Prelës për hedhjen e një shorti të ri për prokuror për çështjen Shullazi. Sipas tyre, shorti do të ishte i paligjshëm pasi çështja Shullazi ka ende prokurorët që kanë kryer hetimet, ndaj nuk ka përse të zgjidhen prokurorë të rinj sapo kanë nisur seancat gjyqësore.

Kundërshtimit të prokurorëve, Kryeprokurorja Marku iu përgjigj me masa disiplinore: ajo vendosi nisjen e hetimit disiplinor për 10 prokurorë dhe transferimin e tre prokurorëve në prokuroritë e rretheve, specifikisht Besim Hajdarmataj në Pogradec, Sonila Muhametaj në Pukë dhe Olsian Çela në Berat.

Një ditë më pas, Marku shkarkoi dhe kreun e Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori Sokol Stojani, pasi refuzoi të hetojë 10 kolegët e tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>