Një person u vra dhe 5 të tjerë u plagosën në një attentat me armë në Lushnje, të hënën, në darkë.
Viktima është Bledar Muca, 40 vjeç. Muça nuk ka të shkuar kriminale sipas medias, dhe është pronar i disa lokaleve në Lushnje.
Sipas BW, policia po heton për lidhjen fisnore që ka Muça me Roland Shytin, anëtarin e bandës “Hakmarrje për Drejtësi”.
Muça rezulton i martuar me mbesën e Shytit dhe përveç kësaj lidhje fisnore kanë dhe lidhje të forta miqësie.
Të plagosurit janë kunati i Mucës, Judin Velo, 32 vjeç, dhe 4 klientë të lokalit — Ervis Tafa, 25 vjeç, Sara Liçi, 24 vjeçe, Eksara Sauli, 26 vjeçe, dhe Majlinda Gjyla, 66 vjeçe.
Si ndodhi atentati:
Të hënën, rreth orës 23:30 një makinë e tipit ‘Golf’ qëlloi me armë përpara lokalit “Pedonalja”, në Lushnje, në drejtim të tavolinës ku qendronte Muça.
Në automjet ishin 3 persona. Ende të paidentifikuar.
Mjeti, me ngjyrë blu dhe me numra serial të fshirë, dhe targa të vjedhura më 6 gusht 2021, u gjend i djegur.
Në të policia gjeti edhe dy kallashnikov.