Çfarë është skema COVAX dhe si e përfiton Shqipëria vaksinën anti-Covid?

Nga Exit News
Çfarë është skema COVAX dhe si e përfiton Shqipëria vaksinën anti-Covid?

Shqipëria ka paguar 3.99 milionë dollarë si formë parapagimi për vaksinën anti-Covid19, tek aleanca COVAX për të vaksinuar 570 mijë persona, ose rreth 20% të popullsisë.

Këtë të mërkurë, emisioni ‘Me pak fjalë’ në Euronews Albania ka sqaruar se si do të përfitojë vendi ynë nga kjo skemë.

Aleanca COVAX u krijua në Prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe në të marrin pjesë 180 shtete, përfshi të gjitha anëtaret e BE-së.

COVAX ka si qëllim të bashkojë kapacitetet financuese dhe prodhuese për të siguruar një sasi sa më të madhe vaksinash për t’i shpërndarë ato mes vendeve anëtare të alenacës.

Covax ka bërë marrëveshje me 9 prodhues vaksinash, përfshi Moderna dhe AstraZeneca, që tashmë kanë prodhuar një vaksinë.

Paraprakisht, COVAX ka përllogaritur se kostoja e një doze vaksine do të jetë 10.55 dollarë.

Skema COVAX ofron dy lloje kontratash për vendet: marrëveshje paraprake për blerjen e vaksinës dhe marrëveshje opsionale për blerjen e saj.

Të dyja marrëveshjet garantojnë qasje në portofolin e vaksinave të COVID-19 me çmimin që do të negociojë COVAX.

I vetmi ndryshim që ka mes tyre është shuma që parapaguhet si garanci për dozat e kërkuara, mundësia për të vendosur mes vaksinave të ndryshme dhe për të dalë nga skema COVAX.

Nëse një shtet do të zgjedhë marrëveshjen paraprake për sigurimin e vaksinës do të duhet të bëjë një pagesë fillestare prej 1.6 dollarë për dozë (rreth 15% e vlerës së një doze sipas vlerësimit të COVAX) dhe një garanci financiare prej 8.95 dollarë për dozë.

Nëse marrim si shembull Shqipërinë, për 570 mijë persona ose 1,140,000 doza, qeveria do të duhet të bënte një pagesë paraprake prej 1.8 milionë dollarësh dhe të linte si garanci financiare 10.2 milionë dollarë.

Por Shqipëria ka zgjedhur marrëveshjen opsionale për sigurimin e vaksinës me COVAX.

Sipas saj, shteti duhet të paguajë paraprakisht 3.1 dollarë për dozë dhe një garanci financiare 0.45 dollarë për dozë.

Referuar shifrave zyrtare, Shqipëria ka parapaguar 3.53 milionë dollarë dhe një garanci financiare rreth 460 mijë dollarësh, në total 3.99 milionë dollarë.

Kjo zgjedhje jep mundësinë që qeveria të zgjedhë mes vaksinave kandidate që do të sigurohen nga COVAX por nga ana tjetër nëse vendi ynë nuk do të blejë vaksina, atëherë shuma që ka parapaguar nuk rimbursohet.

Në momentin që vaksinat do të marrin miratim nga Agjencia Europiane e Mjekësisë, shteteve anëtarë të COVAX do t’ju shpërndahen dozat e para për 20% të popullsisë. COVAX synon të sigurojë 2 miliardë doza vaksinash deri në fund të vitit 2021, për të vaksinuar 1 miliardë persona.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>