Kryetarët e partive të vogla janë kundër ndryshimeve kushtetuese — listat e hapura, heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe rritjen e pragut zgjedhor—të propozuara nga partitë parlamentare, të mbështetura nga Rama dhe tashmë të miratuara nga Komisioni i Ligjeve.
Në një deklaratë të përbashkët, partitë e koalicionit opozitar e quajtën këtë ndryshim ‘shkelje të marërveshjes së 5 majit’.
Fillimisht opozita parlamentare kishte kërkuar rritjen e pragut zgjedhor nga 3 për qind që është aktualisht në 5 për qind. Por në 13 korrik, ata kërkuan uljen e pragut në 2 për qind, ndërsa sot propozuan që pragu të jetë natyral dhe të vendoset nga raporti i votuesve dhe deputetëve në çdo qark.
Komisioni i Ligjeve nuk vendosi se sa do të jetë pragu, por tha se në një moment të dytë kjo do të ndryshohet në Kodin Zgjedhor – Exit News kishte sqaruar më parë, se ndryshimi i pragut nuk ka nevojë të jetë në Kushtetutë.
Le të shohim çfarë ndodhi në zgjedhjet e vitit 2017.
Në zgjedhjet parlamentare të 2017, garuan pa koalicione 18 parti politike – koalicionet parazgjedhore u ndaluan nga paketa ‘McAllister+’.
Partia Republika garoi si parti më vetë dhe mori 3.225 vota ose 0,2 për qind. Kryetari i PR-së fitoi si deputet në listat e PD-së, i 10 në listën e Tiranës.
Ndërsa Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) dhe Partia Agrare Ambientaliste (PAA) nuk garuan në zgjedhje si parti më vete, por me një listë të përbashkët me PD-në.
Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi ishte i 11-ti në listën e Tiranës. Ndërsa Agron Duka, kryetar i PAA ishte 5-ti në listën e PD, në Durrës.
Pragun prej 5 përqind arritën ta kalonin vetëm tre parti: PS (764.750 ose 48,34 %), PD (456.413 ose 28,85%), LSI (225.901 ose 14,28%).
Ndërsa, PDIU mori 76.069 ose 4,81%, LIBRA (19.806 ose 1,25%), PSD (14.993 ose 0,95%).
Të gjitha partitë e tjera, përfshirë PR-në, morën sëbashku 24 218 vota, ose 1,5 përqind të votave në rang kombëtar.