Cilët janë hapat e radhës në reformën në drejtësi? – Exit shpjegon

Cilët janë hapat e radhës në reformën në drejtësi? – Exit shpjegon

Dje në mbrëmje gjatë seancën së jashtëzakonshme parlamentare, Kuvendi miratoi anëtarët e opozitës për tre komisione parlamentare ad-hoc të vetingut. Këto komisione do të përzgjedhin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve (KPK), të Kolegjit të Apelimit (KA) dhe Komisionerët Publikë. Anëtarët e shumicës parlamentare për këto komisione u votuan një muaj më parë pa votat e opozitës.

Komisioni i parë parlamentar ad-hoc, i përbërë nga 3 anëtarë të maxhorancës e 3 të opozitës, do të përpilojë listën përfundimtare të kandidatëve për këto tre institucione të vetingut. Nga lista e hartuar ky komision, më pas dy komisionet e tjera parlamentare do të bëjnë përzgjedhjen përfundimtare. Anëtarët e këtij komisioni janë:

  • Ulsi Manja (PS)
  • Vasilika Hysi (PS)
  • Luan Rama (LSI)
  • Oerd Bylykbashi (PD)
  • Flamur Noka (PD)
  • Fatmir Mediu (PR)

Kushtetuta parashikon se komiteti i parë ad-hoc ka 10 ditë për të përpiluar listën.

Avokati i Popullit i ka kthyer tashmë në parlament tre listat me kandidatët që janë kualifikuar, ata që nuk janë kualifikuar shoqëruar me rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ç’ka do të thotë se komisioni i parë ad-hoc mund të fillojë punë menjëherë.

84 kandidatë janë kualifikuar, ndërsa 109 të tjerë nuk i plotësonin kriteret e vendosura. Nga 84 kandidatë të kualifikuar, ONM dha rekomandim negativ për 17 prej tyre, ç’ka lë 67 kandidatë në listën përfundimtare. Komisioni parlamentar ad-hoc ka të drejtë të lëvizë kandidatët e skualifikuar në listën përfundimtare me shumicë votash.

LEXO  Pabarazia gjinore, burrat shqiptarë 32 për qind më shumë se gratë të përfaqësuar në politikë e ekonomi

Sapo komisioni i parë ad-hoc të ketë përfunduar punën e tij, dy komisionet e tjera duhet të zgjedhin 27 anëtarët përfundimtarë të institucioneve të vetingut brenda 30 ditësh që nga momenti i formimit të komisionit, pra nga data 22 maj, që do të thotë deri në 21 qershor duhet të jenë zgjedhur 27 anëtarët.

Në komisionin e dytë parlamentar që do të përzgjedhë anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Komisionerët Publikë, bëjnë pjesë:

  • Pandeli Majko (PS)
  • Ulsi Manja (PS)
  • Evis Kushi (PS)
  • Bashkim Fino (PS)
  • Luan Rama (LSI)
  • Mesila Doda (PDIU)
  • Oerd Bylykbashi (PD)
  • Durata Cupi (PD)
  • Fatmir Mediu (PR)
  • Gent Strazimiri (PD)
  • Jorida Tabaku (PD)
  • Aldo Bumçi (PD)

Në komisionin e tretë ad-hoc që do të përzgjedhë anëtarët e Kolegjit të Apelimit (KA), bëjnë pjesë:

  • Vasilika Hysi (PS)
  • Ervin Bushati (PS)
  • Vangjel Tavo (LSI)
  • Eduard Halimi (PD)
  • Flamur Noka (PD)
  • Albana Vokshi (PD)

Puna e dy komisioneve ad-hoc që do të përzgjedhin anëtarët përfundimtarë të institucioneve është relativisht e vështirë pasi procedura e parashikuar në Kushtetutë ul ndjeshëm shanset për përzgjedhje të suksesshme.

Nëse të gjitha afatet kushtetuese respektohen, institucionet e vetingut duhet të jenë funksionale përpara zgjedhjeve të 25 qershorit.

Lajme te ngjashme