Pfizer dhe BioNTech kanë rënë dakord të furnizojnë me vaksinat e tyre instrumentin COVAX ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Marrëveshja pritet të shpallet të premten, raporton Reuters.
Detajet mbi madhësinë e marrëveshjes ose çmimin për dozë që COVAX do të paguajë nuk janë të qarta, por burimet thonë që sasia do të jetë relativisht e vogël.
COVAX ka thënë se shpreson të shpërndajë rreth 1.8 miliardë doza në 2021 në 92 vende të varfëra, duke mbuluar rreth 27% të popullsisë së tyre.
Aleanca COVAX u krijua në Prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe në të marrin pjesë 180 shtete, përfshi të gjitha anëtaret e BE-së.
COVAX ka si qëllim të bashkojë kapacitetet financuese dhe prodhuese për të siguruar një sasi sa më të madhe vaksinash për t’i shpërndarë ato mes vendeve anëtare të alenacës.
Covax ka bërë marrëveshje me 9 prodhues vaksinash, përfshi Moderna dhe AstraZeneca, por ende nuk kishte lidhur marrëveshje me Pfizer, vaksinat e të cilëve nisën të parat të shpërndaheshin pasi morën miratimin nga rregullatorët.
Shqipëria ka lidhur një marrëveshje me COVAX për 1,140,000 doza, që mbulojnë rreth 20% të popullsisë.
Lexo edhe: Çfarë është skema COVAX dhe si e përfiton Shqipëria vaksinën anti-Covid