18 pacientë të rinj me Covid-19 u zbuluan në 24 orët e fundit, duke shënuar për ditën e dytë radhazi rritje në numrin e të infektuarve ditorë.
Dy ditët e fundit janë zbuluar 18 pacientë të rinj në ditë, në ndryshim me fillimin e javës kur kishte vetëm nga 4 pacientë të rinj.
Duket se rihapja e pjesës më të madhe të bizneseve dhe lehtësimi i masave të qarkullimit të qytetarëve ka rritur ndjeshëm numrin e të infektuarve.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu paralajmëroi sot se qeveria mund të rikthejë masat kufizuese ndaj qytetarëve, nëse vazhdon trendi rritës i të të infektuarve ditorë.
Shpërndarja e të infektuarve të rinj është:
- 7 në Durrës, duke e çuar totalin e të infektuave aktivë në 9,
- 5 në Berat, duke e çuar totalin e të infektuave aktivë në 10,
- 4 në Tiranë, duke e çuar totalin e të infektuave aktivë në 77,
- 2 në Krujë, duke e çuar totalin e të infektuave aktivë në 46.
Në Durrës, 7 të infektuarit e rinj janë punonjës në të një fasonerie në zonën e plazhit.
Në Berat, 5 të infektuarit e rinj janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata janë familjarë të ekonomistes së ndërmarrjes së ujësjellësit të qytetit, e cila u diagnostikua e para me Covid, ditën e hënë.
Pas rezultateve pozitive të testeve të familjarëve të ekonomistes, ISHP dyshon se e para që mund të jetë infektuar është mamaja e ekonomistes. Ajo punon infermiere në Spitalin e Beratit dhe dyshohet se mund të jetë infektuar gjatë punës. ISHP po teston 54 kolegë të infermieres në spital.
Në Krujë, 2 të infektuarit e rinj janë kontakte të pacientëve të mëparshëm, të infektuar me Covid-19 gjatë punës në fasoneritë, që tashmë prej 4 javësh janë vatra kryesore e infeksionit në këtë qytet.
Në Tiranë, të infektuarit e rinj janë po ashtu, kontakte të pacientëve të mëparshëm.