
Autoritetet italiane raportuan të hënën 8 viktima të tjera me Covid-19 mes personelit mjekësor duke e çuar totalin në 87 të vdekur që nga nisja e epidemisë.
Bilanci tragjik i epidemisë nuk kursen kështu as personelin mjekësor.
Federata Kombëtare e Urdhërit të Mjekëve (Fnomceo) njoftoi se 6 prej viktimave ishin farmacistë – kliko këtu për t’u njohur me listën e stafit mjekësor që ka humbur jetën nga Covid-19.
Drejtuesit e Urdhërave të Mjekëve u kanë bërë thirrje autoriteteve që në rastet kur është e mundur të minimizojnë kontaktet e mjekëve me të sëmurët dhe të vënë gjithmonë e më shumë në punë telemjekësinë.
Në përgjithësi janë mbi 5 500 punonjës të mjekësisë të infektuar. Më shumë se gjysma janë infermierë.
Italia ka diagnostikuar rreth 130 mijë të infektuar me Covid-19, prej të cilëve rreth 16 mijë kanë vdekur – vdekshmëria 12.3 për qind.
Në gjithë botën janë 70 mijë viktima mes 1,3 milionë njerëzve të infektuar – vdekshmëria 5.4 për qind.