DASH: Shqipëria më e korruptuara në rajon, investitorët e huaj po largohen nga vendi

DASH: Shqipëria më e korruptuara në rajon, investitorët e huaj po largohen nga vendi

“Shqipëria tani perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Disa investitorë amerikanë u larguan nga Shqipëria vitet e fundit, pas mosmarrëveshjeve të diskutueshme tregtare, duke përfshirë plot raste që përfunduan në arbitrazhin ndërkombëtar.”

Kështu shkruan Departamenti i Shtetit Amerikan në raportin për ‘Klimën e Investimeve 2019’ në Shqipëri.

Korrupsioni, presioni politik, kontratat pa kontroll me PPP dhe mungesa e transparencës në garë janë problemet kryesore të Shqipërisë për sa i përket klimës së biznesit, sipas DASH.

Një tjetër shqetësim që ngre DASH, nisur nga intervistimet e investitorëve të huaj, është presioni ose diskriminimi që i bëhet kompanive të huaja për të favorizuar kompani shqiptare me lidhje të forta me politikën.

Më poshtë Exit.al rendit pikat kryesore të raportit:

 – Investitorët e huaj e perceptojnë si problematike klimën e investimeve dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.

 – Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, mungesën e transparencës gjatë prokurimeve publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme kryesore të të bërit biznes në Shqipëri.

 – Investitorët shprehen se institucionet përdorin ligje dhe rregullore të vështira për t’u interpretuar ose që ndryshojnë në mënyrë të shpeshtë si mjete për të mbajtur larg investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë shqiptare të lidhura me politikën.

 – Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime me komunitetin e biznesit.

 – Pronarët e bizneseve dhe shoqatat e biznesit theksuan se nuk janë njoftuar dhe nuk i është dhënë mundësia për tu angazhuar në procesin e ndryshimit të ligjeve.

 – Investitorët e mëdhenj të huaj raportuan se i është bërë presion për të punësuar kompani nënkontraktore me lidhje të ngushta në politikë.

 – Disa investitorë amerikanë u larguan nga Shqipëria vitet e fundit, pas mosmarrëveshjeve të diskutueshme tregtare, duke përfshirë plot raste që përfunduan në arbitrazhin ndërkombëtar.

 – Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka zvogëluar mundësitë për konkurrencë dhe garë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria ka nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2018.

 – Të drejtat e pronës mbeten një tjetër sfidë në Shqipëri, pasi titujt e pronësisë janë të vështirë për t’u arritur. Ka pasur raste të individëve që manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës.

 – Kompensimi për tokën e konfiskuar nga regjimi i mëparshëm komunist është i vështirë për t’u marrë dhe joadekuat. Ka shumë çështje gjyqësore lidhur me pronat e konfiskuara gjatë regjimit komunist. Identifikimi i pronësisë është një problem i vazhdueshëm në Shqipëri që e bën të vështirë kthimin e pronave të shpronësuara dhe për rrjedhojë, të bërit biznes.

 – Indeksi i Transparency International i Perceptimit të Korrupsionit 2018 renditi Shqipërinë 99 të 180 vendeve, një rënie prej tetë vende nga viti 2017. Rrjedhimisht, Shqipëria tani perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor.

 – Agjencia e ngarkuar me heqjen e ndërtesave të ndërtuara ilegalisht shpesh vepron pa konsultim të plotë dhe nuk ndjek procedurat.

 – Për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte dhe për të nxitur investimet vendase, qeveria  miratoi një Ligj për Investimet Strategjike në vitin 2015. Ligji përcakton stimuj dhe procedura administrative të shpejta për investitorët strategjikë të huaj dhe vendas, në varësi  të investimit dhe numrit të vendeve të punës të krijuara. Qeveria gjithashtu miratoi legjislacionin që krijon fusha të zhvillimit ekonomik teknik (TEDAs), si zona të tregtisë së lirë. Zhvillimi i TEDA-s të parë, në Spitalle, Durrës, iu dha një konsorciumi të kompanive lokale në gusht 2017, por vetëm pasi tenderi dështoi tre herë. Zhvillimi i TEDA ende nuk ka filluar, pasi një nga ofertuesit ka kundërshtuar vendimin në gjykatë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>