Debati për kujtesën përtej Kinostudios

Nga Jonila Godole
Debati për kujtesën përtej Kinostudios

Çështja e transmetimit të filmave propagandistikë të prodhuar në Kinostudio, përveçse e përfshiu shoqërinë shqiptare në një debat dikotomik (pro dhe kundër, komunistë dhe antikomunistë, nostalgjikë dhe kundërshtarë), hodhi dritë mbi një fakt të trishtueshëm: Procesi ynë i reflektimit mbi diktaturën është endemik, në hapat fillestare dhe nevoja për ta njohur të kaluarën është një urgjencë historike!

Në vështrim të parë u duk sikur debati për “ndalimin” e filmave nxori në pah nostalgjinë e shqiptarëve për të shkuarën komuniste. Nuk dua të besoj se mbështetësit e zjarrtë të prodhimeve propagandistike të Kinostudios do të donin t’u kthehej mbrapsht një sistem represiv si ai i Hoxhës. Mbase ca do ta donin, por le të marrim të mirëqenë se janë një pjesë e vogël. Nostalgjia që mbyti rrjetet sociale, faqet e shtypit dhe ekranet televizive nuk ishte aq për sistemin, sesa bazohej te ruajtja e një cope identiteti të tyre në atë kohë të jetuar brenda kushteve të vështira të diktaturës.

Parë nga perspektiva e sotme, asnjëri nuk beson vërtet që fshatari mund ta japë tokën e tij me dëshirë, që besimtari të kthehet me dëshirë në ateist sepse ia kërkon partia, që fëmija të dojë udhëheqësin më shumë se nënën, dhe të tjera gjepura si këto. Por mbase nga 1990-­a deri më sot, të shkurajuar nga realiteti “demokratik” ata kanë përzgjedhur anët pozitive të jetës në atë sistem duke i integruar ato në aktualitetin që jetojnë. Kjo është e kuptueshme dhe nuk mund të fajësohen për këtë.

Por ka diçka që duhet të na bëjë me turp si shoqëri dhe që ngjan se është arsyeja kryesore e harresës sonë kolektive, fakti që ne ende nuk kemi rënë dakord, të gjithë, se periudha komuniste është epoka më e errët e historisë së Shqipërisë! Dhe ende nuk janë evidentuar qartë përgjegjësit e saj. Dënimi i së shkuarës nuk ndodhi as kur pas 1990­-ës narrativa propagandistike e sistemit doli zbuluar si mashtrim dhe manipulim i masave për 45 vjet. Mungesa e një imperativi shtetëror dhe transparencës institucionale për regjimin komunist nga rënia e sistemit deri më sot, ka ushqyer opinionin publik me fitoret e “Shqipërisë fushë me lule” të trumbetuar në komunizëm dhe ka lënë në heshtje kufomat që nuk janë aspak të fshehura në qilar, por sheshit, si dëshmi e gjallë e shtypjes dhe terrorit ndaj çdokujt që mendonte ndryshe.

Në ekranet kombëtare gjermane krimet e Hitlerit ndaj hebrenjve dhe kombësive të tjera, si dhe dëshmitë e atyre që mbijetuan janë të pranishme gati 2­3 orë në ditë, për të mos i lënë brezat e rinj të harrojnë çfarë ka ndodhur dhe çfarë ka qenë në gjendje të bëjë njeriu ndaj njeriut. Pyetja që shtrohet në rastin tonë është se çfarë kanë zgjedhur shqiptarët të kujtojnë nga kjo e shkuar e tyre, cili është sistemi vlerësues i diktaturës? Përse kjo tolerancë e jona ndaj krimeve të komunizmit dhe mospërballjes me të keqen?

Debati për shfaqjen e filmave “me kriter” tregon pikërisht mosnjohjen e thellë të atij regjimi në rrafsh më të gjerë. Si shoqëri nuk dimë shumë për ata që persekutuan dhe ata që u persekutuan; nuk dimë si funksiononte kontrolli i shtetit dhe i organizmave të tjera ndihmëse mbi jetën e përditshme të shqiptarëve; nuk dimë mënyrat e funksionimit të propagandës që na bën edhe sot të ekspozuar ndaj propagandave të kamufluara të kohës; nuk dimë as rëndësinë që PPSH, Enver Hoxha, Sigurimi etj., kishin realisht për njerëzit e të gjitha shtresave në atë kohë; nuk dimë pse dhe deri në ç’masë spiunimi i njëri-­tjetrit ishte i përhapur në jetën e përditshme; nuk dimë pse nuk pati solidaritet mes njerëzve dhe mbi të gjitha, si mundi ta duronte shoqëria kaq gjatë këtë sistem politik shtypës?!

Në këto dy dekada ka pasur përpjekje për të dokumentuar kujtesën individuale me libra autobiografikë, filma dokumentarë dhe artefakte muzeale që sqarojnë anën tjetër të regjimit. Të gjitha këto rrëfime kanë të përbashkët faktin se pas luftës nacionalçlirimtare – e paraqitur përherë si heroike në librat e historisë – për një pjesë të shqiptarëve filloi ferri i vërtetë. Vrasje dhe burgosje me apo pa gjyq, internime masive të familjeve në disa breza, nga foshnjat te fëmijët, gratë e pleqtë.

Këto botime pak njihen nga lexuesi masiv që ushqimin kulturor e merr sot të injektuar përmes “guruve” të kulturës në ekran dhe rrjete sociale. Por nga ana tjetër, “pluralizmi kulturor”, për arsye komerciale dhe jo vetëm, e ka njohur atë gjerësisht me kujtime ambasadorësh, bodygardësh, kuzhinierësh, ish­ hetuesish dhe ish bashkëpunëtorësh të Sigurimit, miq e dashamirës të regjimit që kanë krijuar idenë e një komunizmi që ishte më shumë i mirë se i keq, pavarësisht se ai regjim vazhdoi të vriste dhe persekutonte njerëz deri në orët e fundit të jetës së tij, më 1990-­ën.

Nuk mund të mbajmë gjallë parullën “good old days of communism” dhe të duartrokasim njëherazi për demokracinë, sado e brishtë të jetë ajo sot, pa dënuar krimet e komunizmit në rrafsh institucional dhe shoqëror. Prandaj debati që u hap për filmat e pati një të mirë, duke na dhënë mundësinë për herë të parë të përballemi me gjakftohtësi me trashëgiminë e së shkuarës. Ta vendosim si prioritet për një ndryshim thelbë­sor të kurrikulës shkollore që po rrit breza të tërë pa kujtesë.

Të reflektojmë në fushat e artit dhe kulturës, ku ende përballemi me produkte tranzicioni që nuk hyjnë dot në dialog me atë epokë nga konteksti i sotëm duke zgjedhur kësisoj të qëndrojnë “politikisht korrekt” sipas klisheve reminishente të estetikës kulturore proletare. Të bëjmë publike biografitë dhe historitë jetësore të rezistencës për të nderuar e kujtuar viktimat dhe si një gur kilometrik në kujtesën tonë kolektive dhe në qëndrimin ndaj diktaturës. Por për më tepër, të evitojmë me çdo kusht ripërsëritjen e atij sistemi në çfarëdo forme hibride që ai mund të rishfaqet në të ardhmen.

Asimetria e thellë që shoqëroi debatin, nga njëra anë pozicionimi (agresiv) i ithtarëve të së ashtuquajturës “trashëgimi historike dhe kulturore” që u mbështetën gjerësisht nga mediat tradicionale, dhe nga ana tjetër, dhjetëra mijëra viktima dhe pasardhësit e tyre, mendimi i të cilëve nuk u dëgjua në këto platforma mediatike, bën të mendosh që sistemi totalitar i së shkuarës me përndjekjen propagandistike që e karakterizon mund të ringjallet në çdo kohë. Prandaj ky debat duhet zhvilluar, zgjeruar dhe thelluar përtej Kinostudios!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>