Deklarata e Ramës për bashkim me Kosovën nxit lajme për luftë në Serbi

Nga Maja Zivanovic
Deklarata e Ramës për bashkim me Kosovën nxit lajme për luftë në Serbi

Një rritje e tensioneve mes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë ka bërë që gazetat në Beograd të paralajmërojnë për një luftë të afërt – por parashikimet e tyre të ngathëta, në mungesë të çdo kërcënimi të vërtetë, vetëm sa i sjellin përfitime politikanëve që drejtojnë këto tre vende, thonë analistët.

Botimet e fundit nga tabloidi pro-qeveritar serb Informer kanë pasur tituj si “Raporti i CIA-s: lufta të gjithë kundër të gjithëve kërcënon Ballkanin”, “Shqipëria e Madhe nënkupton luftë në të gjithë Ballkanin” dhe “Erdogan përgatit Ramën dhe Thaçin për luftë”.

Ndërkaq, Vecernje Novosti në pronësinë e shtetit njoftoi të martën se shërbimet sekrete serbe kishin zbuluar një komplot nga “agjentët turq” për të mbështetur një projekt të “Shqipërisë Etnike”.

Çmenduria në tabloide shpërtheu pasi kryeministri shqiptar Edi Rama tha në një intervistë për Politico më 18 prill se vendi i tij do të krijonte një “bashkim të vogël” me Kosovën nëse Brukseli i kthen kurrizin Ballkanit.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha për Radion Europa e Lirë të nesërmen se “nëse Bashkimi Europian ia mbyll dyert Kosovës, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një vend, për t’u integruar në familjen europiane”.

Pastaj filluan komentet nga media serbe të cilat parashikuan një luftë në rast të krijimit të “Shqipërisë Etnike”.

Por Boban Stojanoviç nga fakulteti i shkencave politike në Beograd i tha BIRN se thirrjet nga mediai shërbejnë qeverive të Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat mund ta përdorin zemërimin për të “nxitur votuesit e tyre dhe për ta paraqitur veten si paqebërës”.

Deklaratat nga politikanët gjithashtu nxisin sensacionalizmin, tha për BIRN Tamara Skrozza, anëtare e Komisionit të Apelit për Këshillin e Shtypit në Serbi.

Thjesht një “fjali e pakujdesshme” nga një politikan mund të përdoret për të krijuar një artikull sensacional, shpjegoi ajo.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç tha më 20 prill se BE-ja, SHBA-ja dhe Britania “do të jenë përgjegjës për pasojat” nëse nuk i përgjigjen deklaratave nga politikanët shqiptarë.

Ministri serb i punës Aleksandër Vulin e vazhdoi presionin më 25 prill duke thënë se deklaratat e sinkronizuara nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi për bashkimin e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të marrin një përgjigje.

Këto deklarata siguruan që “lufta e Shqipërisë Etnike” të vazhdojë në gazeta.

Stojanoviç sugjeroi se në rastin e Serbisë, skenari i përdorur është që zyrtarët e shtetit të nxisin tensione që kryeministri Vuçiç të mund të qetësojë situatën.

Situata zakonisht kulmon me deklarata nga zyrtarë të BE-së, që bëjnë thirrje për qetësim të tensioneve, shtoi ai.

Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn tha më 24 prill se ishte i bezdisur nga deklaratat e zjarrta nga disa liderë në rajon.

Skrozza tha se nxitja e luftës në media ishte një shkelje e Kodit Serb të Shtypit.

“Është e ndaluar që gazetarët të nxisin frikë te lexuesit dhe media nuk lejohet të bëjë gazetari në këtë mënyrë,” këmbënguli Skrozza.

Ajo tha se i vetmi kërcënim i luftës ishte në gazetë.

“Është detyra e gazetarisë të jetë objektive dhe të raportojë të vërtetën, jo që gazetarët ta vënë veten në shërbim të regjimeve të cilëve u përshtatet një situatë,” shtoi ajo.


Ky artikull është botuar më parë në Reporter.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>