Të mërkurën zhvillohet takimi i përbashkët në Bruksel i delegacionit të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak por palët kanë mosdakordësi për temat rendit të ditës dhe pjesmarrësit në takim.
Në takimin e të martës të delegacionit kosovar dhe përfaqësuesve të BE-së është diskutuar për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të makinave dhe për vizitat zyrtare, pasi Kosova ndaloi hyrjen e shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç.
Qeveria e argumentoi këtë vendim duke thënë se Petkoviç ka bërë deklarata provokuese gjatë tri vizitave të fundit.
Sipas kryesuesit të delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, Kosova do të përdorë parimin e reciprocitetit për marrëveshjen e targave të automjeteve.
Delegacioni i Serbisë insiston që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që qeveria e Prishtinës e ka përjashtuar si mundësi vazhdimisht. Tema të tjera për të cilët delegacioni i Beogradit kërkon të bisedojë është ajo e vizitave zyrtare dhe çështja e të zhdukurve gjatë luftës ndërkohë që ka përjashtuar diskutimin për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Megjithëse për çështjen e të zhdukurve ka dakordësi në parim, Kosova nuk pranon të ulet në tryezë me Velko Odalloviç për këtë temë. Sipas qeverisë së Kosovës Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.
Takimi i së mërkurës pritet ti paraprijë një takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në fund të shtatorit.
Takimi i fundit mes tyre është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk prodhoi ndonjë rezultat dhe palët akuzuan njëra tjetrën se nuk kanë vullnet për dialog.