Në rast të përkeqësimit të situatës me koronavirusin, qeveria mund të pezullojë të gjitha kontratat e partneritetit publik-privat.
Kështu u shpreh Ministrja e Financave, Anila Denaj e ftuar të enjten në emisionin ‘Open’, në Top Channel.
“Në rast përkeqësimi mund të pezullohen të gjitha PPP. Në rast përkeqësimi mund të negociojmë, pezullojmë të gjitha PPP. Pa dyshim nga të gjitha PPP”,- tha Denaj.
Ministrja tha se pritet që numri i të punësuarve në fund të muajit shtator është më i lartë se ai i fundit të shkurtit. Ajo gjithashtu bëri një parashikim optimist, duke thënë se borxhi i vendit në 2021 do të ulet në rreth 78%.
Sikurse Exit News ka shkruar më parë ë vitin 2021 qeveria ka planifikuar të hyjë në kontrata të reja koncesionare, të cilat do ta rrisin totalin e kostos së koncesioneve me mbi 40 miliardë lekë të tjera.
Kjo shifër e çon totalin e vlerës së kontratave konçesionare dhe PPP mbi rreth 1 miliardë dollarë—koncesionet e deri tanishme i afrohen shumës 600 milionë dollarë.
Për vitin 2021, janë parashikuar rreth 14,5 miliardë lekë ose rreth 140 milionë dollarë pagesa nga buxheti i shtetit për koncesionet—4 konçesionet e shëndetësisë do të kushtojnë mbi 4,6 miliardë lekë, koncesionet e rrugëve mbi 5,3 miliardë lekë; të inceneratorëve afërsisht 2,2 miliardë lekë, etj.