Vendimi i Shqipërisë për të vazhduar rrugën drejt BE-së do ta afrojë atë edhe më shumë me Greqinë, sipas ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, pavarësisht marrëdhënieve të ngushta të kryemimistrit Rama me Turqinë dhe presidentin Erdogan.
Dendias është shprehur në një intervistë se marrëdhëniet Shqipëri – Greqi nuk duhen parë në konteksin e marrëdhënieve me Turqinë.
“Fakti që është e etur të bëhet anëtare e familjes evropiane, që do të thotë bashkë-nënshkrim i të gjitha vendimeve të rezolutave evropiane, tregon se ku do të jetë Shqipëria në 50, në 100, në 150 vite nga sot”, tha Dendias.
Kjo sipas tij do ta afrojë më shumë Tiranën me Athinën por ministri grek shtoi se nuk do të ketë lëshime sa i përket kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë për tu integruar në BE.
“Sidoqoftë, jam i lumtur të them se besoj se Shqipëria ka bërë zgjedhjen. Është çështje kohe, përpjekjeje, por e ka bërë zgjedhjen themelore”, u shpreh Dendias.
Sa i përket çështjes së ‘detit’, Dendias theksoi se ata kanë marrë dakordësinë e plotë të kryeministrit Rama që palët t’i drejtohen gjykatës së Hagës për zgjidhjen e kësaj mosmarrveshjeje.