Jozefina Topalli dhe Arben Imami, deputetët demokratë të mbetur jashë listave për zgjedhjet e 25 qershorit, kërkuan sot shkarkimin e kreut të PD-së Lulzim Basha.
Në një konferencë për shtyp, Zonja Topalli dhe Zoti Imami akuzuan Zotin Basha se ka hartuar listat e kandidatëve për deputet në shkelje të statutit të partisë.
“Kërkojmë të mblidhen forumet dhe të shkarkohet kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Vendimi për listat e PD është marrë në shkelje të statutit, nuk është konsultuar me askënd. Nuk ka qenë traditë e kësaj partie, që të mos bëhen konsultime. Të mblidhen forumet demokratike dhe të shkarkohet Lulzim Basha,” deklaroi deputeti Imami.
Ndërsa Zonja Topalli u shpreh:
“Prej 26 Majit, edhe zyrtarisht, kjo nuk është më Partia Demokratike e Dhjetorit 1990. Jo pse mungoj unë në listën e deputetëve, por sepse shpirti i Partisë Demokratike është zëvendesuar me llogarinë e ftohtë të Republikës së Re. E di se ata pak demokratë që kanë mbetur dhe që numërohen me gishtat e njërës dorë janë edhe më zemërthyer se unë, sepse do të bëjnë fushatë për diçka që nuk e besojnë, që nuk është e tyrja-për Republikën e Re të Lulzim Bashës.”
Deputetja Topalli akuzoi kryetarin Basha se me zgjedhjet e tij personale ka shkatërruar Partinë Demokratike dhe i ka dhënë fitoren e sigurtë Edi Ramës e Partisë Socialiste.