Teksa kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë nga hapja e aplikimeve, vetëm dy prokurorë kanë aplikuar për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Dje, dorëzoi dokumentet për të qenë pjesë e SPAK-ut prokurori Klodian Braho. Prokurori Braho nuk i është nënshtruar ende ventingut. Ai njihet si prokurori që hetoi çështjen e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Ndërsa sot, ishte prokurori Besnik Muçi ai që aplikoi për në SPAK. Prokurori i Krimeve të Rënda, Muçi, e ka kaluar me sukses vetingun. Ai ishte pjesë e listës prioritare të vetingut, pasi kandidonte për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Prokurorët e tjerë kanë dhe tre javë afat për të aplikuar për në SPAK.
SPAK është një nga institucionet e reja kyçe të drejtësisë. Ai ka për qëllim hetimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të kryera nga zyrtarët e lartë qeveritarë, përfshirë Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët.
Sipas Kushtetutës SPAK është krejtësisht i pavarur nga struktura të tjetra të Prokurorisë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Drejtuesit dhe prokurorët e SPAK, në total 15 prokurorë, do të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) për një mandat 9-vjeçar.
Prokurorët e SPAK do të plotësojnë një formular ku të lejojnë verifikimin e të dhënave personale në çdo moment në të ardhmen, duke përfshirë bisedat telefonike, email-et dhe pasurinë e tyre dhe të familjarëve.