Deri më tani vetëm dy prokurorë kanë aplikuar për në SPAK

Deri më tani vetëm dy prokurorë kanë aplikuar për në SPAK

Teksa kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë nga hapja e aplikimeve, vetëm dy prokurorë kanë aplikuar për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Dje, dorëzoi dokumentet për të qenë pjesë e SPAK-ut prokurori Klodian Braho. Prokurori Braho nuk i është nënshtruar ende ventingut. Ai njihet si prokurori që hetoi çështjen e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Ndërsa sot, ishte prokurori Besnik Muçi ai që aplikoi për në SPAK. Prokurori i Krimeve të Rënda, Muçi, e ka kaluar me sukses vetingun. Ai ishte pjesë e listës prioritare të vetingut, pasi kandidonte për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Prokurorët e tjerë kanë dhe tre javë afat për të aplikuar për në SPAK.

SPAK është një nga institucionet e reja kyçe të drejtësisë. Ai ka për qëllim hetimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të kryera nga zyrtarët e lartë qeveritarë, përfshirë Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët.

Sipas Kushtetutës SPAK është krejtësisht i pavarur nga struktura të tjetra të Prokurorisë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Drejtuesit dhe prokurorët e SPAK, në total 15 prokurorë, do të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) për një mandat 9-vjeçar.

Prokurorët e SPAK do të plotësojnë një formular ku të lejojnë verifikimin e të dhënave personale në çdo moment në të ardhmen, duke përfshirë bisedat telefonike, email-et dhe pasurinë e tyre dhe të familjarëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>