Kërkesa e Kadri Veselit për t’u liruar përkohësisht nga paraburgimi në Dhomat e Specializuara të Hagës është rrefuzuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Sipas vendimit të publikuar të premten, gjyqtari vlerëson se ka rrezik që Veseli të arratiset, të pengojë punën e Dhomave të Specializuara ose të kryejë krime kundër dëshmitarëve në çështjen kundër tij.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka arritur në përfundimin se ekziston rreziku që Z. Veseli të arratiset, të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të Dhomave të Specializuara ose të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen se janë kundër UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që i dhanë prova Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe / ose duhet të të paraqiten para Dhomave të Specializuara. Gjyqtari i Procedurës Paraprake do të vlerësojë më poshtë nëse këto rreziqe mund të adresohen në mënyrë adekuate nga Kushtet e Propozuara.”
Avokati i Veselit, Ben Emerson, kishte kërkuar që klienti i tij të lirohet përkohësisht nga paraburgimi duke ofruar një listë me kushte që do të plotësoheshin nëse Veseli do të lirohej
Zyra e Prokurorit të Specializuar kundërshtoi kërkesën një javë më parë.
Më 11 nëntor, ish-kreu i PDK Kadri Veseli hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij nga gjykata speciale e Hagës për krime gjatë luftës së Kosovës.
Akuzat që rëndojnë mbi Veselin janë:
- Përndjekje, krim kundër njerëzimit;
- Burgosje, krim kundër njerëzimit;
- Ndalim arbitrar, krim lufte;
- Akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit;
- Trajtim mizor, krim lufte;
- Torturë, krim kundër njerëzimit;
- Torturë si krim lufte;
- Vrasje, krim kundër njerëzimit;
- Vrasje e paligjshme si krim lufte;
- Zhdukje me forcë e personave, krim kundër njerëzimit.
Sipas prokurorisë, veprat e pretenduara janë kryer midis prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore.