Donald Lu nuk mund të bëjë vezën e Artë

Nga Andi Bushati
Donald Lu nuk mund të bëjë vezën e Artë

Pas një takimi të shpejtë me kryeprokuroren e përgjithshme tranzitore, një pjesë e madhe e mediave i kanë kujtuar ambasadorit amerikan Donald Lu, faktin se ai i ka premtuar me bujë publikut shqiptar arrestimin e peshqve të mëdhej në janarin e ardhshëm.

Por, megjithese pak gjëra dihen realisht për “sekretet” që ata kanë diskutuar në mes tyre, një gjë është e sigurtë, Donald Lu do e ketë shumë të vështirë t’a përmbushë me nder premtimin solemn që ka bërë. Sepse ai sot gjendet në një udhëkryq me vetëm dy rrugëdalje, asnjëra prej të cilave nuk të shpie në destinacionin e treguar prej tij.

E para ështe ajo që ambasadori ka shprehur si formë garancie për krerët e dy partive opozitare shqiptare gjatë takimeve të së mërkurës. Ai ka thënë pak a shumë se Arta Marku nuk do të jetë në rolin e kamikazes ashtu sikurse pretendojnë PD dhe LSI, por do të kryejë vetëm funksionin e një zyrtareje të përkohshme, që nuk bëhet promotorja e tërmeteve të mëdha. Pra me një fjalë, po të besojmë këtë version të fakteve, jo vetëm në janar, por edhe disa kohë më pas nuk priten të vijnë tronditje sizmike nga institucioni i akuzës. Dhe një gjë e tillë i bën deklaratat e Lu-së të ngjashme me ato të Adriatik Llallës, i cili sa herë që dilte në ekran parathoshte hapjen e dosjeve të padëgjuara më parë.

Rruga tjetër, ose versioni i dytë është që, ashtu siç ka premtuar ambasadori Amerikan, prokuroria në drejtimin e Arta Markut, të fillojë që në janar goditjen e të paprekëshmve të deri sotëm. Por një gjë e tillë do të hapte një problem jo të vogël: Sepse ky institucion, që pas seancës së fundit parlamentare, që prej mënyrës se si u bë përzgjedhja e kryesueses së tij dhe që prej shfaqes së turpshme se si u betua ajo, simbolikisht ka marrë një ngjyrim të fortë. Edhe sikur Arta Marku të mos kishte asnjë dorë mbi dosjet edhe sikur ajo të ishte po aq jashtë sa një UFO në zyrën e prokurorit të përgjigjshëm, për të gjithë vartësit e saj mesazhi “emërimit” nga një parti e vetme do të qe i mjaftueshëm. Në një vend si Shqipëria, ku aftësia më e madhe e zyrtarëve është ajo për t’u përshtatur me frymën që diktohet nga pushteti, politizimi do të qe i pashmangshëm. Nga ky paragjykim, nuk do të shmangej dot, çdo lloj çështjeje që do të guxonte të hapte edhe prokurori më i rëndomtë. Nga ky mallkim nuk do të shpëtonte as gjithë reforma në drejtësi, që menjëherë do të njollosej me akuzat e kapjes prej njërës palë.

Për këtë reformë u propogandua për një kohë të gjatë se ajo do të hapte etapën e tretë të drejtësisë në raport me politikën. Nëse faza e parë ishte ajo e viteve ’90-2000, kur pushteti i Berishës president dhe ai i socialistëve të pas ‘97 i shfrytëzuan prokurorët dhe gjykatat për të spastruar rivalët e tyre politikë, nëse faza e dytë ishte ajo e ballancës për të mos dënuar askënd dhe për të krijuar mitin e “të paprekshëmve”, kjo e treta parashihte një përmbysje përfundimktare të rroleve.

Por, po qe se beteja kundër politikanëve të korruptuar do të niste nga një prokurori e drejtuar nga një zonjë e veshur me kostumin e rilindjes gjithçka në vend që të shkonte përpara, mund të rikthehej në pikën zero. Pra mesazhi që do t’i përcillej publikut do të qe ai një sprapsjeje tragjike në kohët më të errta të drejtësisë të komanduar nga Berisha i parë.

Pikërisht në këtë udhëkryq gjendet sot Donald Lu. Nga njëra anë ai do të donte të mbante premtimin për goditjen e peshqve të mëdhej në janar. Ama, nga ana tjetër ai e kupton se nëse kjo ndodh nën suazën e një kryeprokuroreje të rilindjes, çdo gjë do të shkonte për dreq. Prandaj znj. Marku nuk është bekimi, por fataliteti i tij. Ai me të nuk e pjell dot vezën e Artë me të cilën na kishte joshur të tërëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>