Doris Pack, Presidentja e Forumit të Grave të PPE-së, deklaroi sot se kanabizimi i vendit dhe njerëzit me të shkuar kriminale në poste drejtuese janë një rrezik i madh për Shqipërinë.
Gjatë një takimi në Bruksel me Bordin Drejtues të Forumit të Grave të Partive Popullore Evropiane, zonja Pack deklaroi:
“Ajo çfarë po ndodh aktualisht në Shqipëri është një çmenduri. Kultivimi i kanabisit po përhapet në gjithë vendin, duke e kthyer vendin në burimin kryesor të drogës dhe kontrabandës. Nga ana tjetër ka dhjetra persona me të shkuar kriminale që janë bërë pjesë e administratës shtetëore.”
Kjo është deklarata e dytë brenda pak muajsh e Zonjës Pack. Në shkurt 2017, gjatë një takimi në Kukës, Doris Pack shprehu zhgënjim për situatën në Shqipëri dhe për futjen e personave me të shkuar kriminale në parlament. Ajo shprehu habi për kalimin në qetësi nga Qeveria Rama të deklaratave të forta të ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.
Deklarata e Pack vjen shumë pak orë përpara se dy negociatorët David McAllister – zëvendëspresidenti i Partive Popullore Evropiane, dhe Knut Fleckenstein – europarlamentar dhe raportues për Shqipërinë – të takojnë Edi Ramën, Ilir Metën e Lulzim Bashën për të diskutuar për arritjen e një marrëveshje që do të zgjidhte krizën politike.
Doris Pack e përshëndeti kërkesën e qeverisë Rama-Meta për të përfshirë Partitë PopulloreEvropiane në zgjidhjen e krizës.