‘Dosjet në bagazhe makinash’: Si u grabitën 68 mijë metra katrorë tokë në Kepin e Rodonit

Nga Geri Emiri
‘Dosjet në bagazhe makinash’: Si u grabitën 68 mijë metra katrorë tokë në Kepin e Rodonit

Prokuroria e Durrësit, e cila po heton një skemë të gjerë falsifikimi me tokat në afërsi të Kepit të Rodonit, dyshon se zanafilla e falsifikimeve të 68 mijë metra katrorë tokë ka ndodhur me aktin e marrjes së tokës në ponësi (AMTP) dhe më pas me regjistrimet e kundraligjshme, ku dyshohet se janë përfshirë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Hipotekës Durrës.

Emrat e 7 banorëve të fshatit Bizë u përdorën si maskim për grabitjen e tokës që ishte në pronësinë e shtetit. Toka rezulton të jetë ndarë në parcela më të vogla dhe përmes kontratave të shkëmbimit apo shit-blerjes u është shitur personave të tretë në vlera të konsiderueshme.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për vlerësimin e masës së sigurisë së Prokurorisë së Durrësit tregojnë se skema e tjetërsimit të tokave në fshatin Bizë të Durrësit është dirigjuar nga ish-zyrtarë të komunës së Ishmit, të cilët kanë qenë edhe përfitues të drejtpërdrejtë të parave të fituara nga shitja e parcelave.

Hetimi i Prokurorisë së Durrësit tregon gjithashtu se kjo skemë është pasuar nga falsifikime masive dhe një mori veprimesh të kundraligjshme brenda Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës, ku akuzohen si të përfshirë tre ish-drejtuesit Ardian Iljazaj, Adrian Kona dhe Edlira Nova si dhe një numër zyrtarësh të tjerë në funksionin e juristit apo hartografit.

Zyrtarët dhe përfituesit akuzohen për “falsifikim dokumentash”, “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion” si dhe për “përvetësim të parave që rrjedhin nga vepra penale”. Në përballjen e parë me gjykatë të dielën, u vendos që vetëm 9 nga 17 të arrestuarit e operacionit të njohur me emrin “Rodoni” do të hetohen nën masën e “arrestit me burg”.

Fshati Bizë ndodhet në një kodrinë rrethuar nga plazhi i kepit të Rodonit në veri dhe gjiri i Lalzit në jug. Para ndarjes së re administrative, Biza ka qenë pjesë e komunës së Ishmit ndërkohë që vlera e tokave është rritur me zhvillimin e turizmit.

Prokuroria e Durrësit i nisi hetimet në mars 2019, pas një kallëzimi të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, e cila gjatë një kontrolli të zhvilluar në shtator dhe tetor 2018 kishte gjetur një sërë praktikash regjistrimi në kundërshtim me ligjin.

Hetimi u drejtua nga prokurori Afrim Shehu. Megjithatë, çështja nuk përmban asnjë të dhënë për drejtorin e Kadastrës, Liridon Pula, i cili u arrestua në fillim të tetorit me urdhër të prokurorit Arjan Ndoj – i akuzuar më pas nga krerët më të lartë të ekzekutivit se po punonte për llogari të një “grupi të strukturuar kriminal”.

Prokuroria e Durrësit ka hetuar praktikat e regjistrimit të 7 parcelave të tokës në Bizë me një sipërfaqe totale prej 68 mijë metra katrorë, nga të cilat dyshohet se janë falsifikuar aktet  fillestare të fitimit të pronësisë, të njohura si AMTP.

AMTP-të mbajnë vitin 2002, por nga hetimet u zbulua se dokumentet janë prodhuar gjatë viteve 2014-2015 nga ish-kryetari i komisionit të ndarjes së tokës, Gjergj Bushaj dhe ish-anëtari Latif Mullahi, me bashkëpunimin e ish-kryetarit të komunës së Ishmit, Sulejman Ibrahimi, i cili ka lejuar vulosjen e AMTP-ve dhe ia ka përcjellë ato zyrtarisht ZRVPP-së së Durrësit.

Të afërmit e Gjergj Bushajt janë përfshirë më pas në procesin e regjistrimit të pronave në Hipotekë si dhe ndarjen e tyre në parcela më të vogla me qëllim shitjen. Prokuroria ka zbuluar në një rast se ish-kryekomunari Ibrahimi ka përfituar gjysmën e parave të shitjes së një parcele.

Hetimi ka ngritur akuza edhe për zyrtarët e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Durrës, të cilët dyshohet se jo vetëm kanë kryer veprime regjistrimi në kundërshtim me ligjin, por kanë qenë gjithashtu në dijeni të falsifikimeve.

Një përgjim i Prokurorisë së Durrësit i qershorit 2019 ekspozon zhdukjen e referencave të regjistrimit të pasurive nga arkiva e hipotekës, bashkë me 30-40% të dosjeve fizike.

“Dëgjo këtu, dosjet kanë problem. Gati 30-40% e këtyre kanë ekzistuar dosjet, mirëpo fizikisht nuk janë më në arshivë. Ndodhen nëpër bagazhe makinash,” thuhet në bisedën e përgjuar. Bashkëbiseduesi, i cili nuk identifikohet në kërkesën e Prokurorisë i përgjigjet se: “[…] t’i verifikojnë, ne do t’ua rikrijojmë. Është problemi i zyrës, nuk është i qytetarit”.

Reporter.al/Policia në masa sigurie në Gjykatën e Durrësit.

Përfitues me prokurë

Pas tjetërsimit të tokave shtetërore përmes dokumenteve të falsifikuara dhe regjistrimit të tyre në ZRPP Durrës, të akuzuarit Gjergj Bushaj, djali i tij Ledi Bushaj apo ish-kryetari i Komunës, Sulejman Ibrahimi kanë vepruar si përfaqësues me prokurë të (7) banorëve të zonës së Bizës në shitjen e pronave.

Të dhëna nga Prokuroria e Durrësit tregojnë se në dëshmitë e tyre për hetuesit, përfituesit e parë të tokës kanë mohuar që të jenë marrë me dokumentet, të kenë gjetur blerës apo të kenë pasur rol aktiv në shitjen e pronave.

Gjon Proja, njëri prej të arrestuarve si përfitues i tha Prokurorisë se e ka shitur tokën për 5 milionë lekë, ndonëse në kontratën e shitjes e kishte deklaruar 2.5 milionë lekë.

“Shitjen e pasurisë e ka bërë shtetasi Sulejman Ibrahimi, i autorizuar me prokurorë të posaçme,” tha Proja, i cili ka shtuar se në kohën e hartimit të prokurës kishte qenë në Itali dhe se gjysmën e parave i kishte marrë ish-kryetari i Komunës së Ishmit.

Një version të ngjashëm ka dëshmuar për Prokurorinë e Lek Ndoj, i cili kishte shitur 11 dynym nga toka e tjetërsuar për 44 mijë euro. Në këtë rast, shitja është kryer përmes autorizimit me prokurë të shtetasit Ledi Bushaj, djali i Gjergj Bushajt, i cili është ende në kërkim nga policia e Durrësit.

Ndërsa pjesa më e madhe e banorëve të Bizës e kanë gjetur veten papritur pronarë, të tjerë persona të përfshirë në skemën e falsifikimeve kanë tentuar të përfitojnë përmes legalizimit. Një sipërfaqe toke prej 12 mijë metrash katrorë në fshatin Bizë rezultoi e regjistruar përmes një lejeje legalizimi në emër të Lush Osmanit, administrator i kompanisë Shpresa Al.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se në hipotekën e Durrësit kishte mbërritur kërkesa për legalizimin e tokës në mbiemrin Keta dhe jo Osmani dhe përveç aplikimit nuk ekzistonte asnjë gjurmë tjetër në sistem.

Në shtator 2019, toka e mësipërme, që sipas Prokurorisë ishte regjistruar përmes një lejeje të falsifikuar legalizimi ishte ofruar si barrë hipotekore në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë.

“Shtetasi Lush Osmani ka aplikuar për të regjistruar si barrë hipotekore pasurinë me nr. 440/104, e regjistruar me leje legalizimi të falsifikuar,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Durrësit.


Marrë me shkurtime nga Reporter.al

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme