Një spektakël i habitshëm informativ u ofrua sot në media: të gjitha të përditshmet kryesore e degdisën përmbytjen më të madhe të ndodhur në Shqipëri prej shumë vitesh në tituj dytësorë, në fund të faqeve kryesore. Të gjithë titujt kryesorë të tyre i kushtoheshin pa përjashtim reformës në drejtësi dhe rrëmbimit e ekzekutimit të ndodhur në Durrës.
Sigurisht, shtypi i ushqyer nga Kryeparlamentari Meta i dha më shumë vëmendje takimit prej rreth tre orësh ndërmjet Zotit Meta dhe Ambasadorit Lu. Gazeta Shekulli e injoroi komplet lajmin e përmbytjeve, si në versionin e shtypur dhe në atë online, duke dhënë vetëm lajme mbi nivelin e Fierzës. Shqiptarja.com i dedikoi përmbytjeve më pak se një të katërtën e faqes së parë. Gazeta Shqiptare e ka lajmin në fund të faqes. Mapo në versionin online e trajtoi përmbytjen vetëm në rubrikën e humorit.
Tema e përdor përmbytjen për të lëvduar fotot artistike të Kryeministrit Rama gjatë një vizite në Sukthin e përmbytur, si dhe për të përcjellë denoncimin “e guximshëm” të deputetit Taulant Balla, sipas të cilit gërmimet për fibrat optike “demokratike” të ish ministrit Genc Pollo janë në rrënjët e katastrofës. Ndërsa Shqip i kushton gjendjes një çerek faqe, por gjithmonë në pjesën anësore të faqes. Për gazetën DITA përmbytja nuk ka ndodhur fare.
I ndryshëm është qëndrimi i shtypit të konsideruar opozitar. Koha Jonë hapet me titullin e madh “Zoti Kryeministër! Vendi po përmbytet”, ndërsa gazeta 55 e Fahri Balliut ironizon “Vizitë e papritur e Ramës në Shqipëri.” Standart, dhe sigurisht, Rilindja Demokartike hapen me përmbytjen.
Sikurse duket, për koalicionin politiko-afaristo-mediatik të Kryeministrit Rama përmbytja është thjesht një mundësi për t’u shfaqur në media dhe ndoshta shtysa e duhur për t’i “bindur” që të ikin nga ky vend.
Ndërkohë, sot, mediat e huaja i kanë dhënë përmbytjeve në Shqipëri vëmendje që ka kohë që nuk i jepet vendit. Media kryesore botërore, përfshi Fox News, ABC News, US News and World Report, Washington Post, Global Post, The Guardian, BBC kanë informuar gjerësisht mbi përmbytjen, në disa raste duke e quajtur me përmasa katastrofike. Ato na njoftuan edhe për ndihmat e premtuara nga qeveria serbe, lajm i cili ka kaluar komplet në heshtje në vend.