Rezistencës së drejtorëve rajonalë të spitaleve për të qëndruar në detyrë duket se i ka ardhur fundi.
Gazeta Panorama, duke cituar burime të saj, shkruan se rreth 60 për qind e drejtorëve i kanë paraqitur sot dorëheqjen zëvendësministres së Shëndetësisë Mira Rakacolli, pasi janë telefonuar nga zyrtarë të ministrisë.
Dy ditë më parë Kryeministri Rama i kërkoi dorëheqjen e menjëhershme drejtorëve të spitaleve pasi i quajti ata “përgjegjësit kryesore moralë për keqmenaxhimin dhe papastërtitë në spitalet që drejtojnë”.
Por asnjë prej drejtorëve nuk dha dorëheqjen brenda 24 orëve. Shumë prej tyre u shprehen se nuk mund të largohen nga detyra pasi sezoni i verës sjell gjithnjë fluks të pazakontë të pacientëve, ndaj largimi do të shkaktonte probleme në funksionimin e përditshëm të spitaleve.
Spitalet janë institucionet e dyta ku kryeministri Rama kërkon dorëheqjen e të gjithë drejtuesve. Një javë më parë ai kërkoi dorëheqjen e drejtuesve të hipotekave, për të cilët tha se nuk kanë respektuar afatet ligjore dhe nuk i janë përgjigjur qytetarëve.
Ndryshe nga drejtuesit e spitaleve, ata të hipotekës u dorëhoqën menjëherë nga detyra.