Duhet të mbajmë zi. Duhet të shqetësohemi. Duhet të gjejmë kurën.

Nga Dr. Lori E. Amy
Duhet të mbajmë zi. Duhet të shqetësohemi. Duhet të gjejmë kurën. Teatri ne ndertim

Gjatë 72 orëve të fundit, sëbashku me qindra mijëra njerëz në Shqipëri dhe në mbarë botën, kam jetuar si e përhumbur në tronditjen dhe tmerrin e ekzekutimit publik të Teatrit Kombëtar të Tiranës.

Në orën 4:30 të mëngjesit, të dielën 17 maj 2020, më erdhi një telefonatë nga Uashingtoni — ku ishte ende herët, ora 10:30 e mbrëmjes.

Shkurt katër fjalë: —Teatrin po e shkatërrojnë.

Një kërcitje.

Dhe ra linja.

Hapa Facebook-un për të gjetur lajmet që vinin drejtpërdrejt nga qendra. Pashë policët që zbarkonin në mes të natës. Protestuesit që tërhiqeshin zvarrë; britmat dhe lotët e tyre, — shprehje e tronditjes dhe tmerrit që na ka kapluar të gjithëve edhe sot. Ishin ata protestues që, për 27 muaj, dhanë frymën dhe gjakun e tyre për të mbajtur të gjallë teatrin që ishte dënuar me vdekje.

Këta 27 muaj, Sheshi i Teatrit, i solli një jetë të re, një gjak të ri, Shqipërisë. Unë shkoja atje sa herë mundja. Jo mjaftueshëm. E zënë me punët e mija, shkoja atje si një person që viziton pacientin në repartin e kurës intensive, pasi e ndjen atë dhe dëshiron që ai të jetojë, që përpiqet të bëjë ç’të mundet për të ndihmuar mjekët dhe infermierët që e mbajnë gjallë, teksa kërkojnë kurën që do ta shpëtojë.

Të gjithë besuam se e gjetëm kurën. Ne bëmë festë kur Europa Nostra e shpalli Teatrin Kombëtar të Shqipërisë si një nga 7 monumentet e rëndësishëm të trashëgimisë kulturore më të rrezikuar në botë! Ja ku i keni paratë! Silleni përsëri në jetë! Pacienti do të jetojë!

Teatri ishte laboratori. Ishte qendra kërkimore universitare ku njerëzit mësuan si të rezistojnë, si të mos heqin dorë, çfarëdo që të ndodhë. Atje ata mësuan gjuhë të reja që u mundësuan komunikimin me mediat ndërkombëtare dhe elitat diplomatike kudo në botë. Atje ata zbuluan vende të reja dhe njerëz të rinj – hapësira ekzotike të kryeqyteteve botërore ku jetojnë organizata të tilla si Europa Nostra.

Duke zbuluar kurën për Teatrin Kombëtar, ata zbuluan kurën për Shqipërinë. Pas shpëtimit të Teatrit, ata do të mund ta përdornin këtë kurë në pjesën tjetër të vendit për të çliruar një popull që jeton si i burgosur për gati një shekull.

Dhe mbase kjo është arsyeja pse pushteti do të bënte një hakmarrje kaq të përgjakshme dhe të dhunshme.

Sepse nëse kjo kurë do të përhapej në të gjithë vendin, njerëzit do të shëroheshin nga sëmundja që i ka kthyer në robër të pushtetit dhe lakmisë së elitave të tyre.

Ata do të shëroheshin nga frika.

Virusi vret duke e kthyer trupin tonë kundër vetes së vet. Ai futet si gjarpri në qelizat tona dhe merr përsipër funksionimin e tyre. Ai pëshpërit fjalë helmuese që i kthejnë miqtë dhe fqinjët kundër njëri-tjetrit. Virusi na vret, qelizë pas qelize, organ pas organi, duke mashtruar disa qeliza të cilat i bën të besojnë se mu ato gjëra që u duhen për jetën janë armiqtë e tyre që duhen sulmuar. Në këtë mënyrë, virusi na bën të vrasim veten.

Tek Sheshi i Teatrit, mjekët dhe infermierët në shpëtim të jetës së teatrit mësuan se si ta kurojnë këtë virus.

Por edhe virusi ngulmon të jetojë. Për këtë, atij i duhet të rikthehet tek qelizat, ta rikthejë luftën civile brenda trupit, që e bën pacientin të vrasë veten.

Më 17 maj 2020 – për ironi, një Ditë Ndërkombëtare, – shteti ekzekutoi publikisht, dhunshëm, në mënyrë sadiste Teatrin Kombëtar. Këtë e bëri për të fshirë kurën, që kështu sëmundja të mund të rritet, e pa kontrolluar.

Viruset bëjnë mutacione.

Për të kuruar mutacionin e këtij virusi, duhet të kthehemi tek fillimi — të zbërthejmë kodin gjenetik nga i cili ka lindur virusi.Dhe kjo do të thotë të kthehemi tek Teatrin Kombëtar, sepse ky virus ka ardhur në jetë aty.

Në atë teatër Enver Hoxha zhvilloi shfaqjen e gjyqit që shënjoi fillimin e sundimit të përgjakshëm të terrorit që vrau opozitën politike dhe i çoi njerëzit e terrorizuar në nënshtrim.

Në mbarim të këtij gjyqi, 17 nga 60 personat e gjykuar u ekzekutuan dhe u varrosën në një hendek jashtë Tiranës. 53 të tjerët u dërguan në gulagët që Hoxha kishte filluar të ndërtonte. Në atë vend filluan vitet e përgjakshme të vjedhjes së çdo centimetri tokë, të çdo monedhe, të çdo pasurie të njerëzve.

Dhe kjo po vazhdon edhe sot me ndërtimet e paligjshme. Ndërtime të paligjshme, që do të thotë: — krime në Hipoteka që pasurojnë gjyqtarët, avokatët, ndërtuesit, zyrtarët që firmosin transferta titujsh pronësie, duke vjedhur, përsëri, pronën e njerëzve.

Nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Evropa; nga Shqipëria dhe Kosova, më telefonojnë, e më dërgojnë mesazhe dhe e-maile: Shock. Horror. Mosbesim. Hidhërim.

Virusi ka filluar një kundërsulm të dhunshëm Ai është gjallë akoma…Ka ekzekutuar pacientin. Virusi dhe partitë politike ushqejnë të njëjtën gjë: frikën, që e bën një pjesë të trupit ta quajë tjetrën “armike” dhe ta sulmojë atë. Virusi na shtyn të vrasim veten dhe, pasi kjo kryhet, ai hidhet te një trup tjetër.

Mjekët duhet të kthehen në punë.Teatri Kombëtar është ekzekutuar, por ne ende kemi kodin gjenetik të virusit. Kura është ende e  mundur – ajo mund të gjendet.

Do të jetë e vështirë. Sigurisht. Shumë, shumë e vështirë.Unë nuk e di kurën, por mendoj se di një vend ku mund të fillojë kërkimi. Virusi që u shfaq asokohe tek Teatrin Kombëtar ndërtoi një diktaturë brutale që varroste natën, çvarroste dhe rivarroste përsëri njerëzit që ekzekutonte. Mbi 80 për qind e njerëzve që ekzekutoi diktatura dergjen ende të fshehur nën tokën ku ne ecim. Nuk ka eshtra për tu varrosur. As rite mortore për të vajtuar jetën e humbur, për të përkujtuar njerëzit e dashur, tashmë të zhdukur.

Ritet e varrimit janë rite shoqërore të vdekjes. Ato i bëjnë të mundur atyre që mbajnë zi të gjejnë ngushëllim me njëri-tjetrin, të ndjejnë se nuk janë vetëm.

Nuk ka pasur asnjë rit mortor për vdekjet e komunizmit, asnjë  mundësi për njerëzit e komunitetit të vajtimtarëve të mbajnë dhe mbështesin njëri-tjetrin në pikëllimin që sjell vdekja, por edhe në procesin e riafirmimit të jetës.

Për të jetuar në të ardhmen, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Ne kemi nevojë për miqtë tanë, fqinjët tanë, komunitetet tona.Virusi — dhe partitë politike — jetojnë duke e shtyrë trupin të sulmojë vetveten. Virusi, pasi na ka bërë të vetëvritemi, hidhet te një trup tjetër.

Virusi që ka lektisur Shqipërinë është mutacioni i një virusi që infekton botën.Nuk e di kurën, por e di një pjesë të saj: sistemi imunitar duhet të mësojë sërish si të njohë miqtë e tij, komunitetin e tij. Ai duhet të pastrojë helmin që e ka bërë trupin të shohë pjesën tjetër të vetes si “armik”.

Dhe unë e di: shqiptarëve u është mohuar e drejta e varrimit për të dashurit që u ekzekutoi diktatura. Atyre u janë refuzuar ritet mortore që u bëjnë të mundur pjesëtarëve të komunitetit të vajtimtarëve të mbështesin njëri-tjetrin në pikëllimin e tyre dhe të gjejnë, me njëri-tjetrin, një angazhim të përtërirë për jetën.

Nuk e di kurimin për mutacionin e virusit në Shqipëri. Por besoj se kërkimi i kurës duhet filluar tek rikthimi në Teatrin Kombëtar. Duke rikuperuar kodin gjenetik të virusit. Dhe duke kryer, më në fund, ritet e varrimit që do t’i lejojnë trupit të shohë se i duhen të gjitha pjesët e tij për të jetuar.

Dhe besoj se, kur shqiptarët ta gjejnë këtë kurë, kjo do të ndihmojë pjesën tjetër të botës.

Me ju, unë pikëllohem.

Me ju, unë riangazhohem: në kërkim të kurës, në bashkimin për të mbajtur zi, për të rindërtuar komunitetin — rikthejeni jetën.

 

Përkthyer nga anglishja nga Fatos Lubonja.

 

2 komente

  1. sedi 20 Maj, 2020 në 10:35 am

    Cna neveritet me keto qaravitje.
    Po Shqiperia u dogj ne 97 dhe ka mbi 2 mije viktima dhe nuk qau kush, nuk kerkoj njeri pergjegjesi.
    Edhe sot shkaktaret jetojne si zotni.

  2. Arla 20 Maj, 2020 në 6:35 pm

    Eshte e drejta e qytetarit te protestoje per dicka qe nuk e duket e drejte, eshte e drejta kryesore ne nje vend demokratik bte shprehet mendimi. Pse duhej ne piken e mengjesit te behej nje aksion i tille?! Ne kohen e nje emergjence mjeksore.. pa fjale

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme