Durrës 2017, beteja mes betonit dhe qeramikës në kurriz të turizmit

Nga Merxhan Daci dhe Cal Lundmark
Durrës 2017, beteja mes betonit dhe qeramikës në kurriz të turizmit

Imagjinoni një qytet ku çdo ditë ankorohen qindra anije që kanë sjellë mallra nga Aleksandria, ku lulëzon tregtia dhe perandorët argëtohen nga trupat e aktorëve në amfiteatrin me 20 mijë spektatorë.

Durrësi ka qenë një qytet i lavdishëm.

35 kilometra larg kryeqytetit, Durrësi është më shumë se një destinacion për diellin, detin dhe rërën. Të dhënat arkeologjike na thonë se ky qytet është një thesar.

Rrënojat e qytetit na çojnë 627 vjet para Krishtit. Por, kjo histori brenda pak vitesh më shumë se nga pluhuri i mijëvjeçarëve po mbulohet nga betoni.

Durrësi arkeologjik njihet më shumë për amfiteatrin dhe muzeun, ndërkohë rrënoja të tjera thjesht janë zbuluar, por nuk i shfaqen publikut apo nuk njihen.

Nëse shëtit për disa orë në amfiteatrin e Durrësit, ndodh të mos takosh turistë. Po ashtu, në rrënojat e tregut antik, përveçse nuk ka asnjë turist rretheqark, zona është e mbyllur me çelës.

Arkeologu i njohur, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, thotë për PSE se ajo çfarë e bën të veçantë Durrësin, është vazhdueshmëria e civilizimeve që qyteti ka pasur.

“Ka qenë qyteti i katërt në botë për nga madhësia. Ky qytet është shumë i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë, por jo vetëm. Në Durrës është përplasur Perëndimi me Lindjen, ka një vazhdueshmëri si qytet dhe kjo e bën të veçantë. Këtu kalonte fluksi ushtarak, ekonomik dhe kulturor për në Lindje”, – thekson ai.

Deti dhe rëra nuk i mungojnë Durrësit dhe Shqipërisë, por janë “rrënojat” magneti që duhet të tërhiqte në Durrës turistë gjatë gjithë vitit, ashtu sikurse ndodh në vendet e tjera të rajonit.

Por prej vitesh qyteti po përballet me ndërtimet masive e pa kriter, por edhe me akuza të forta drejt pushtetit vendor, që më shumë se për identitetin është kujdesur për industrinë e ndërtimit.

Apollon Baçe thotë se monumentet nuk janë mirëmbajtur dhe se pas komunizmit ato janë dëmtuar e shumë herë shkatërruar me pretekst zhvillimin.

“Kjo është koha më mizerabël e mundshme për arkeologjinë në Durrës. Po dëmtohen ato të dhëna që kanë rëndësi për njerëzimin dhe si rrjedhojë turistët nuk kanë arsye përse të vijnë, kur u serviret beton”, – shprehet ai.

Në guidën zyrtare turistike të Durrësit shkruhet: Durrës, qyteti ku deti lag antikitetin. Durrësi është në rrënojat e Epidamosit të vjetër. Ekziston një shprehje për fëmijët në qytet: Nëse gërmon thellë, mund të gjesh tempuj.

A janë këta “tempuj” të hapur për vizitorët?

Ekspertja e turizmit, lektore në Universitetin e Durrësit, Brunilda Liçaj, thotë se mungon një strategji për turizmin dhe monumentet duhet të marketohen shumë më mirë për të krijuar identitetin e qytetit.

“Slogani i Durrësit është aromë deti, por duhet të jetë jo vetëm aromë deti, sepse ka shumë më tepër mundësi për turizmin. Monumentet mund të ekspozohen më mirë. Duhet të rriten shërbimet, duhet të kemi më shumë njerëz që merren me turizmin”, – thotë Liçaj.

Ajo kujton komentet e hidhura që operatorë të rëndësishëm turistikë kanë bërë për këtë qytet me të shkuar të lavdishme gjatë seminareve dhe konferencave për turizmin.

“Para dy vitesh kam qenë në një takim europian për udhëtimet turistike me anije dhe një nga menaxherët e njërës nga kompanive më të mëdha tha: “Në Durrës ulemi dhe vështrojmë detin, kur jemi në det shikojmë qytetin, është një masakër urbane”, – thekson ajo.

Sipas Liçajt, edhe vetë banorët e Durrësit kanë shumë pak njohuri për historinë e qytetit. Në përvojën e saj me studentët ajo tregon se ata kanë shumë boshllëqe në informacion.

Shumica e turistëve që vijnë në Durrës, janë “turistë patriotë” nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Turistët e “detit” janë vetëm për periudhën e verës. Turizmi gjithësezonal mbetet një sfidë që një qytet me kaq potencial sa Durrësi duhet ta kishte kaluar.

Për Hysniun, banorin e Durrësit që shet libra në shëtitoren Vollga, ndërtimet e kanë ndryshuar qytetin në mënyrë drastike.

“Turistët vijnë vetëm në verë. Këtu ka kaq shumë ndërtime dhe apartamente bosh! Në pallatin tim prej 60 hyrjesh vetëm familja ime dhe 4 të tjera banojnë. Më shumë se pallatet na duhet një sistem i ri turizmi”, – thotë ai.

Sa kushton urbanizimi dhe me çfarë po paguhet?

Arkeologu Apollon Baçe e konsideron krim atë çfarë është bërë me urbanizimin në qytet.

Sipas tij, me taktika korruptive janë dhënë leje ndërtimi në mënyrë abuzive. Ai tregon shifra marramendëse parash që i janë ofruar në këmbim të një miratimi nga Instituti i Monumenteve, në kohën kur ai e drejtonte këtë institucion.

“Kam qenë drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Më kanë ofruar 60 mijë deri në 150 mijë euro për të dhënë miratimin e lejeve të ndërtimit mbi rrënoja. Nuk kam pranuar, ka të tjerë që i kanë marrë këto shuma”, – pretendon Baçe.

Një rrënojë bizantine poshtë një ndërtese prej 14 katesh, sipas Baçes, e holluan pa mëshirë me buldozerë që t’u merrte më pak hapësirë ndërtuesve.

Në vitin 2001 nisi ndërtimi i këtij pallati në zonën afër portit të qytetit ku edhe pse vërehet nga institucionet se është cënuar një rrënojë arkeologjike, lejohet vazhdimi i punimeve duke u arsyetuar se punimet për ndërtesën do të nxirrnin në pah murin bizantin. E ky është një nga shembujt ku antikja nënshtrohet nga modernia.

Sot, kjo rrënojë e kamufluar me modernizim nuk mund të vizitohet, nëse nuk do të drekosh në restorantin që është ngritur aty. E këtu ndeshet fort privatja me publiken, thesari me betonin.

Pallati mbi rrënoja

Qyteti ka pasuri të shumta, por edhe nevojë të madhe për turistë “të tjerë”.

Zenepja, e reja shqiptare nga Mali i Zi, ka zgjedhur Durrësin për pushime disa ditore, edhe pse para sezonit veror.

“Unë vij shpesh këtu, e pëlqej, sepse është pak a shumë si vendi im, Ulqini. Po, kemi qenë vitin e kaluar tek sitet arkeologjike. Rrënojat janë të mrekullueshme, është historia jonë, ne jemi shqiptarë”, – thekson ajo.

Ledion Lako, drejtori i Drejtorisë rajonale të Kulturës në Durrës, thotë në një intervistë për PSE se nga e kaluara qyteti ka pasur dëmtime të shumta.

“Turistët, kur vijnë, e shijojnë qytetin dhe e vlerësojnë, edhe pse janë bërë gabime në të shkuarën. Ka qenë një luftë e heshtur dhe arkeologët kanë punuar që ta ruajnë trashëgiminë e pasur. Ligji “Për Trashëgiminë Kulturore”, në zonën A (atë qendrore të qytetit të vjetër), e ndalon kategorikisht ndërtimin dhe nuk është dhënë asnjë leje”, -tha ai.

Sipas nenit 30 të ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, në zonën arkeologjike A është e ndaluar çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor.

Si rezultat, Veliera, projekti i shumëdiskutuar i rehabilitimit të një sheshi afër portit të qytetit, bie në kundërshtim me këtë ligj, si dhe me planin urbanistik të Durrësit, të miratuar në vitin 2011. Veliera, nxorri në dritë rrënoja antike bizantine të cilat po cënohen nga hekuri dhe betoni i projektit prej 5.5 milionë Eurosh.

Arkeologu dhe historiani i njohur, Neritan Ceka, në një debat televiziv në mars 2017, thotë se vetëm 5 përqind e pasurisë arkeologjike të Durrësit është zbuluar dhe se kjo duhet të na bëjë të kujdesemi më tepër për qytetin dhe zbulimet arkeologjike.

Pushteti vendor në Durrës e ka një përgjigje për kritikat që vijnë nga media dhe shoqëria civile. Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në të njëjtin debat televiziv tha se, “shkeljet e pretenduara janë bërë në shërbim të komunitetit”.

Por, a duhet sakrifikuar e shkuara për të tashmen?

Në Durrës, prej vitesh aroma e detit nuk është e vetmja. Aroma e betonit, jo vetëm ndihet, por po vulos fitoren në betejën e pabarabartë me qeramikën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>