Të dielën një grup aktivistësh nga Durrësi vendosën në muret e qytetit postera kundër ndërtimeve të papërgjeshme që po dëmtojnë pasurinë arkeologjike të qytetit. Brenda disa orësh posterat e tyre u hoqën nga një person i cili dyshohet se punon për një deputet të Partisë Socialiste.
Në disa prej posterave paraqiten betoniere që mbulojnë me beton heronjtë e qytetit. Në një tjetër poster, Torra Veneciane pushtohet nga një valë betoni. Të gjitha posterat u vendosën në zonën e portit.
Në videot më poshtë, shihet personi teksa heq posterat nga muret vetëm pak moment pasi aktivistët i vunë. Burime për Exit.al thanë se personi në video është shoferi i deputetit socialist Roland Xhelilaj.
I themeluar në shekullin VII para Krishtit nga Ilirët, Durrësi ka disa site arkeologjike që mund të jenë pika turistike për shkak të trashëgimisë së tyre historike. Sidoqoftë, nën qeverisjen e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako (2007–2019), Durrësi u pushtua nga një valë ndërtimesh masive dhe zhvillimi të pakontrolluar, pa asnjë përkujdesje ndaj trashëgimisë kulturore. Vangjush Dako dha një sërë lejesh për pallate dhe qendra tregtare, si dhe për punë publike të dyshimta në site arkeologjike, duke e vënë seriozisht në rrezik trashëgiminë e qytetit.
Megjithëse ka vendime gjykate që vendosin ndaljen e ndërtimit në këto zona, bashkia dhe qeveria nuk I kanë respektuar ato, përfshirë dhe vendimin për ndalimin e punimeve të sheshit Veliera.
Ndërtimet e shumta kanë bërë që dhe njerëzit të ndihen sikur qyteti ka humbur identitetin e tij. Zërat kundër apo denoncimet për këto ndërtime, që tashmë kanë shndërruar disa site të lashta të qytetit në masa betoni, janë përballur me censurë.
Megjithatë, aktivistët thonë se do të vazhdojnë të protestojnë përmes artit të rrugës kundër kësaj masakre që ka tjetërsuar qytetin.