Në shkelje të vendimit të Gjykatës Administrative, Bashkia Durrës ka vijuar me punimet në sheshin Veliera, duke betonizuar zonën ku u gjendën themelet e një ndërtese mijëra vjeçare.
Tashmë hapësira rreth Torrës Veneciane është e betonizuar totalisht, duke shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme trashëgiminë kulturore të qytetit të Durrësit.
Më 17 shkurt, Gjykata Administrative vendosi pezullimin e punimeve në pjesën e sipërme të sheshit, pikërisht në vendin ku u gjetën themelet e ndërtesës e mjete të vjetr lufte. Por fotot e publikuara nga qytetarët sot tregojnë se punimet jo vetëm që nuk janë ndalur, por është hedhur beton mbi gjetjet arkeologjike.
Qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile e arkeologë, që e quajtën fitore vendimin e gjykatës për pezullimin e ndërtimit, protestuan sot sërish kundër kryebashkiakut Vangjush Dako.
Punimet për rikualifikimin urban të sheshit Veliera në Durrës kanë nisur në nëntor të vitit 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 2400 metra katrorë.
Në një artikull të publikuar më 3 shkurt, Exit.al ngrinte shqetësimin se punimet për ndërtimin e veles prej betoni do të shkatërronin trashëgiminë kulturore të qytetit.