“… Por kur një varg i gjatë uzurpimi dhe abuzimesh, sipas të njëjtit Qëllim të ndjekur pandërprerë, zbulon planin [e Qeverisë] për t’i zhytur ata [njerëzit] nën një Despotizëm Absolut, është e drejta e tyre [e njerëzve], është detyra e tyre, ta rrëzojnë këtë Qeveri, dhe të caktojnë të tjerë rojtarë të sigurisë së tyre të ardhshme.”
Këto fjalë përmbyllin Preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Nuk ka sesi ato mos jenë shembulli i shkëlqyer për çdokënd në botë, përfshi dhe ne shqiptarët, i krijimit të një demokracie solide, dhe një qeveri të njerëzve, prej njerëzve, dhe për njerëzit. Dhe kur kjo nuk ekziston më, me prova të padiskutueshme të abuzimeve dhe uzurpimeve të lirisë dhe parave të çdo shqiptari, atëhere nuk ka asnjë arsye pse mos ta zbatojmë porosinë, e gdhendur në Deklaratën e Pavarësisë, për ta rrëzuar këtë Qeveri.
Por, kur sheh sesi raportimi dhe qëndrimi i Voice of America është i ndryshëm nga artikulimi dhe qëndrimi i Ambasadës Amerikane ndaj protestave të shqiptarëve për largimin e krimit nga politika dhe qeverisja e shqiptarëve, atëhere nuk ka sesi mos të lindin dyshime, të mos të vrasë veshin dhe sytë fakti se të tjera duar shkruajnë qëndrimet atje tek VOA në Washington, dhe se krejt ndryshe, qëndrimet e Ambasadës kundër protestave të opozites duket se prej shumë kohe, i shkruan njësoj e njëjta dorë, një dorë e vjetër në ambasadë, më e vjetër se disa Presidentë amerikanë, etj., dhe më e vjetër edhe disa referentë njëri pas tjetrit për Shqipërinë në Zyrën për Europën dhe Eurazinë në Departamentin e Shtetit.
Lind dyshimi, dyzimi, pyetja cili model qeverisje po mbështetet në Tiranë, ai i kthyer në Despotik, apo ai Demokratik?Tani, duke qenë se mendohet që (ndoshta e kam gabim) Departamenti i Shtetit paguan edhe VOA edhe personelin e ambasadës këtu, ndoshta është mirë të marrë një vendim për të siguruar që paratë e taksapaguesve amerikanë prodhojnë një standart dhe qëndrim unik të Departamentit të Shtetit ndaj zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri: Ose ta mbyllë VOA që flet atë që sheh, ose ta pushojë nga puna këtë dorën që prej shumë vjetësh tashmë i është mësuar si me telekomandë, dhe shkruan po njësoj, po të njëjtën deklaratë kundër protestave të opozitës – e pse jo, ta zëvendësojë me ndonjë dorë tjetër që shkruan më mirë këto deklaratat mbi ushtrimin e demokracisë dhe të drejtës për të rrëzuar qeverinë; e pse jo me homologen e saj në Venezuelë.
Kështu, edhe Departamenti i Shtetit bën pak ekonomi (ose jo), dhe ne këtu mbledhim mendjen dhe nuk kemi me dyshim, asnjë dyshim që na krijohet shpesh këto vitet e fundit kur dëgjojmë gjëra të ndryshme mbi të njëjtën gjë që jemi duke bërë, nga i vetmi burim i ndriçimit kombëtar, i shembullit që duam të ndjekim dhe garantit absolut të demokracisë në botë – Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këto 30 vjet është e qartë që kemi dështuar. Në demokraci, në politikë, në ekonomi, dhe sidomos në kulturë si mentalitet. Politikanët e përhershëm janë autorë të këtij dështimi, ne jemi bashkëpunëtorët e tyre. E di, gjithashtu, se i zoti e nxjerr gomarin nga balta.
Këtë po përpiqen të bëjnë shumë shqiptarë që dalin në shesh. Por, ne mund të dyshojmë, të kemi dyzime, po ç’them, ne duhet sot më shumë se kurrë, patjetër të dyshojmë çdo politikan shqiptar, qëllimet e tij, fjalët e tij, veprat e tij, mospërputhjet e tij përpara sa ta mbështesim ose jo; por shqiptarët nuk mund të kenë dyshime – të krijuara artificialisht – për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mendjen e shqiptarëve SHBA janë kulla e fundit e rojës e demokracisë. Po qe se kjo kullë bie nga dyzimi i gjatë qëndrimeve, atëhere shoqëria shqiptare, mendja e shqiptarit do kthehet përsëri në Despotizëm, siç po ndodh me shpejtësi përpara syve të të gjithëve.