Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi ditën e shtunë se i është nënshtruar testit për koronavirus – Covid 19, pasi ka patur kontakte me disa persona të cilët kanë rezultuar pozitivë.
Trump deklaroi se është testuar ditën e premte në mbrëmje dhe është ende duke pritur rezultatet.
Lajmi, u bë publik gjatë një konference shtypi të radhës për masat ndaj koronavirusit, në kundërshtim të një informacion të lëshuar nga mjeku i Shtëpisë së Bardhë pak para së premtes në mesnatë, i cili tha se Trump nuk kishte nevojë të vetë-karantinohej ose të testohej për COVID-19.
Trump deklaroi se është mirë me shëndet, nuk ka asnjë simptomë gripi apo ftohje dhe nuk ka qënë në kontakt të afërt me personat e testuar pozitivë ku një ndër ta ishte dhe sekretari i shtypit të presidentit brazilian, e megjithatë iu nënshtrua testimit, pas interesimit të shtypit dhe opinionit publik amerikan.
Zëvendëspresidenti Mike Pence, i cili ka patur po ashtu kontakte me persona të testuar pozitivë tha se parashikon të testohet gjithashtu, pasi të konsultohet edhe me mjekun e Shtëpisë së Bardhë.
Gjithashtu është deklaruar se janë duke u mbajtur nën kontroll të gjithë personat të cilët kanë kontakt me presidentin Trump dhe zëvendëspresidentin Pence, si masa paraprake.