Kryeministri Edi Rama po përdor të njëjtën qasje për diskreditimin e Emiljano Nuhut që ndoqi para katër vitesh për të diskredituar Dritan Zaganin.
Pasi heshti katër ditë për një ngjarje që ka tronditur të gjithë shoqërinë shqiptare dhe pas botimi të një mesazhi shpërfillës ndaj seriozitetit të kësaj ngjarje, Kryeministri Rama sulmoi ashpër Emiljano Nuhun — i cili denoncoi kërcënimet e deputetëve socialist Taulant Balla e Rrahman Rraja dhe kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi për të mos hetuar djalin e deputetit Rraja, i akuzuar për përdhunim.
“Një horr i kthyer një hero, ka braktisur detyrën dhe ka përdorur rastin për të fituar azil. Nuk do t’i ndahemi atij horri”.
Me këto fjalë e kërcënoi sot Kryeministri Rama, Emiljano Nuhut, i cili pas kërcënimeve të vazhdueshme u largua nga Shqipëria për në Zvicër.
Njësoj, në vitin 2015 me Dritan Zaganin , ish-drejtuesin e policisë kufitare të Vlorës, i cili kishte denoncuar aktivitetin kriminal të vëllezërve Habilaj dhe lidhjet e tyre me ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Akuzat e Zagnit u bëne pasi ai u largua nga Shqipëria për në Zvicër, në një intervistë për gazetarin Basir Collaku.
Fjalët e Kryeministrit kundër Zaganit ishin të qarta dhe të forta:
“Një kriminel, nga ata të cilët policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajën t’i identifikojë në radhët e veta dhe t’i pastrojë, një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte operacionet e policisë është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje edhe i kreut të shtetit së fundi.”