Edi Rama, mashtrim dhe propagandë në të mirë të shqiptarëve?

Nga Alba Mborja
Edi Rama, mashtrim dhe propagandë në të mirë të shqiptarëve?

Nismat ligjore dhe aksionet e fundit per sekuestrimin e pasurive të vëna nga burime të paligjshme, duket se më shumë se luftë e vërtetë ndaj krimit janë inskenime dramatike për t’u dhënë vendeve të BE-së rezultate konkrete në luftën kundër krimit, në pritje të vendimit të tyre të rradhës për negociatat me Shqipërinë.

Tre vitet e fundit, problemet e krimit dhe migracionit shqiptar në disa vende të BE-së u bënë pengesa kryesore për moshapjen e negociatave pas rezervave apo vetove të Francë, Gjermanisë, Hollandës, Danimarkës dhe Spanjës, të cilët kanë qenë të pakënaqura me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të kontrolluar këto dy shqetësime.

Ndërsa, vitin e shkuar qendrimi mohues i Francës u argumentua edhe me nevojën e reformimit të procesit të negociatave të anëtarësimit. Pas disa propozimeve franceze për reforma të pranuara në vija të përgjithshme nga BE, Presidenti Makron raportohet të ketë pohuar dje se Franca do të votojë pro hapjes së negociatave nëse Komisioni Europian do të paraqesë raport pozitiv në lidhje me përparimin e Shqipërisë.

Një raport i tillë pozitiv ishte thuajse i garantuar nën Komisionin e mëparshëm Juncker, kur raporti përgatitej nga stafet e komisionerëve Hahn dhe Mogherini, të cilët ishin mbështetës të qeverisë Rama dhe të përpjekjeve të saj për hapjen e negociatave.

Tre raportet e fundit të Komisionit Juncker rekomanduan hapjen e negociatave, edhe pse bënë kritika për mungesën e rezultateve të dukshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por që justifikoheshin me vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi.

Tani Komisioni Europian ka ndryshuar, ndërsa reforma në drejtësi ka hyrë në vitin e katër të zbatimit. Në këto kushte ekziston rreziku që raporti i Komisionit të ri mund të jetë më kritik, veçanërisht për mungesën e rezultateve konkrete kundër krimit dhe korrupsionit.

Qeverisë Rama i janë thënë hapur këto rezerva në takimet e punës për hartimin e raportit, sikurse ato i janë shprehur punonjëssve të Komisionit në takimet që ata kanë patur me grupe të ndryshme të shoqërisë civile dhe medias.

Për të mos rrezikuar, duket se qeveria Rama vendosi të veprojë me shpejtësi për të prodhuar rezultate konkrete në kohë për t’u përfshirë në raport, i cili duhet të përfundojë dhe paraqitet pas 3-4 javësh.

Qeveria Rama përgatiti dhe miratoi me shpejtësi paketën për sekuestrimin e aseteve të krimit dhe për operacionin e ashtuquajtur “forca e ligjit”.

Pastaj veproi menjëher në disa operacione nën dritën e kamerave për sekuestrim pasurish të dyshimta të personave të dyshuar apo dënuar për veprimtari kriminale. Brenda pak ditësh u miratuan ligje dhe u shënjestruan me dhjetra individë dhe grupe kriminale, u sekuestruan qindra miliona euro prona.

Të gjitha do të përfshihen në raportin e Komisionit të ri dhe gjasat që ai të jetë pozitiv tashmë janë thuajse të sigurta.

Kjo ishte arsyeja e vërtetë pse ligji i ashtuquajtur anti-KÇK u miratua si akt normativ nga qeveria dhe jo me procedurë normale parlamentare—nevoja për të vepruar me shpejtësi brenda pak ditësh para se të mbyllet raporti i KE-së, ndërkohë që një procedurë e rregullt parlamentare kërkon disa javë.

Kjo është arsyeja pse efektet e ligjit mbarojnë brenda 10 muajsh, në fund të vitit 2020 dhe nuk do jetë një ligj i përhershëm—pasi të mbarojë raporti dhe me shpresë hapen negociatat nuk ka më nevojë propagandistike për rezultate në luftën kundër krimit.

Kjo është edhe arsyeja që çdo gjë kufizohet në krimet para vitit 2020 dhe jo ato që do të behen këtë vit e në të ardhmen, veçanërisht tani që mendohet se SPAK do të hapë shumë dosje të rëndësishme grupesh kriminale—qëllimi nuk është lufta e vërtetë, por veprime të kufizuara teatrale sikur po luftohet.

Me këto statistika sekuestrimesh, me SPAK-un duke hetuar, me reformën zgjedhore në proces haritmi, me qetësi politike, pas tërheqjes së opozitës nga rruga në tavolina diskutimesh, me Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë vetëm pak javë larg krijimit, me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë në detyrë, qeveria ka përmbushur kështu, të paktën në letër, kërkesat kryesore për hapjen e negociatave të vënë si kusht apo të ngritura si shqetësime nga disa vende skeptike.

Pas kësaj, me shumë gjasa, shumica në mos të gjitha pronat e sekuestruara mund të lirohen, dhe interesi qeveritar për luftën kundër krimit e korrupsionit mund të kthehet atje ku ka qenë përherë, në nivelin zero.

Por nëse hapen vërtet negociatat, do ketë plot nga ata që do thonë: Edi Rama të paktën këtë herë propagandën dhe mashtrimin i përdori për t’u sjellë diçka të mirë të gjithë shqiptarëve.

Një e mirë në kohën e krimit dhe korrupsionit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>