Në fund të vitit 2006, Edi Rama vendosi të mos hynte në zgjedhjet lokale të caktuara për t’u mbajtur më 20 janar 2007, nëse nuk plotësoheshin tre kushte të panegociueshme, përfshi shtyrjen e zgjedhjeve:
- Shtyrja e zgjedhjeve për t’u dhënë më shumë kohë qytetarëve të verifikonin emrat në listat zgjedhore;
- Të përfundohej reforma zgjedhore e mbetur në vend;
- Certifikatat e qytetarëve të vuloseshin nga KQZ.
PS kërcënoi se nuk do të regjistrohej në zgjedhje nëse nuk plotësoheshin kushtet. Si rezultat, zgjedhjet u shtynë për në 18 shkurt dhe u gjet zgjidhje për kushtet e tjera të kërkuara nga Edi Rama dhe Partia Socialiste.
Arsyet dhe retorika që përdori në atë kohë Edi Rama për të kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve janë në kontrast të plotë me qëndrimet e tij sot.
10 vjet më parë Edi Rama fliste për standardin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për kushte të panegociueshme në emër të lirisë, për vullnetin e popullit, për mbylljen e ciklit të manipulimit të zgjedhjeve etj.
Sot flet për Kushtetutë, për krizë të sajuar nga opozita, për të drejtë të shumicës të vendosë, për hyrje i vetëm në zgjedhje, etj.
Më poshtë ne po vëmë përballë disa deklarata të Edi Ramës 10 vjet më parë dhe tani.
***
10 vjet më parë
Fillim dhjetori 2006
Jemi në një situatë ku bllokimi i reformës zgjedhore, mungesa e plotë e të gjitha masave të marra për të garantuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, si dhe fakti që për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri hymë në zgjedhje pa një kod zgjedhor të miratuar nga të gjitha palët, por me rregulla loje të përcaktuara vetëm nga pushteti.
Ne nuk do të lejojmë që Kryeministri së bashku me mashat e tij të mirënjohura në traditën e zgjedhjeve jo vetëm në Shqipëri, por edhe brenda Partisë Demokratike si instrumente të manipulimeve të vazhdueshme, të cënojnë rezultatin tonë… rezultat që është vetëm rezultat fitues.
11 dhjetor 2006
Zgjedhje në kushtet e sotme nuk mund të ketë. Edhe një herë, në emër të qytetarëve të këtij vendi, i kërkojmë Kryeministrit dhe aleatëve të tij politikë të lënë mënjanë ambiciet e tyre dhe të bëjnë bashkë me ne atë që është më e mira për vendin e për popullin shqiptar.
12 Dhjetor 2006
Jemi në një moment agonie të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Shtyrja e zgjedhjeve nuk ka qenë objektivi ynë. Ai ka qenë një propozim i partnerëve ndërkombëtarë, që ta themi dhe ta ndajmë njëherë e mirë këtë bisedë, sepse u bënë muaj të tërë që flet e flet duke kërkuar që me stilin e tij të vjetër, me gjuhën e tij të vjetër, me gjithë ato mënyra që e shkuara e tij si shërbëtor dhe jo si një idealist… Sali Berisha i tregon shqiptarëve përralla dhe nëpërkëmb të vërtetën orë e çast.
Sot fatin e vendos vetëm vota e lirë dhe nuk ka Zot në tokë që e prek atë, sepse ne jemi forca e së ardhmes ndryshe. Ne duhet të jemi të gatshëm të sakrifikohemi në emër të Partisë Socialiste. Sot nuk është koha të mendohemi për greminën, por për të ardhmen.
Ne kërkuam tri gjëra që i pamë si të panegociueshme për të garantuar ecurinë e procesit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
12 Dhjetor 2006
Asambleja Drejtuese e Partia Socialiste miratoi në unanimitet një rezolutë për të mos u regjistruar në KQZ, në të cilën thuhej:
Procesi elektoral në Shqiperi ka hyrë sot në rreth vicioz dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në kushtet e sotme janë plotësisht të kompromentuara.
PS distancohet nga çdo proces elektoral antikushtetues e antiligjor pa standarde demokratike, që synon deformimin e vullnetit të zgjedhësve shqiptare më 20 Janar 2007 dhe imponimin e dhunshëm të një farse ku asnjë forcë progresiste nuk mund të marrë pjesë.
Kërkojmë të shmanget kriza ku ka hyrë procesi zgjedhor dhe krijimi i kushteve për të garantuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në përputhje me standardet demokratike, të cilat duhet të zhvillohen me një kod zgjedhor, riformulimi i të cilit duhet bazuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR.
PS rikonfrimon vullnetin e palëkundur për të hapur një kapitull të ri në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, duke ofruar konsenus për arritjet e standardeve demokratike zgjedhore dhe duke refuzuar çdo rregull apo udhëzim të imponuar në rrugë të njëanshme, që zgjat zinxhirin e zgjedhjeve të kontesuara, të deformuara e të papranueshme për vizionin tonë europian për Shqipërinë.
18 dhjetor 2006
Shtyrja e datës së zgjedhjeve është një hap i rëndësishëm në rrugën e garantimit të standarteve.
Shtyrja e datës së zgjedhjeve është një hap i rëndësishëm në rrugën e garantimit të standardeve, pasi ajo mundëson realizimin e listave të zgjedhësve, brenda 85 ditëshit të kerkuar prej nesh.
21 dhjetor 2006
Ne jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje në çdo moment që do të garantohen standardet tona europiane, sepse nëse negociojmë standardet do të thotë që negociojmë të ardhmen tonë. Vendimi për t’u distancuar nga një proces i paligjshëm nuk është rezultat i një vullneti të shprehur nga një strukturë e lartë e partisë, por është rezultat i vullnetit të shprehur nga më shumë se gjysma e popullit shqiptar përmes anëtarësisë së PS.
24 dhjetor 2006
Kryeministri i Shqiperise i trembet zgjedhjeve. Ai do zgjedhje të deformuara, ose nuk i pranon, ndërsa ne duam zgjedhje të lira e të ndershme, ose zgjedhje nuk do të këtë, për këtë ju garantoj.
9 janar 2007
Ne jemi në të drejtën e opozitës për të kërkuar minimumin jetik për zgjedhjet. Shqipëria është një vend europian dhe jo afrikan, duke merituar standarde europiane.
***
10 vjet më pas
19 mars 2017
Në Shqipëri zgjedhjet i administron një institucion që quhet administrata zgjedhore. S’ka për të ardhur oferta për shtyrje të zgjedhjeve.
Data e zgjedhjeve është e përcaktuar në Kushtetutën tonë si dita e gjykimit të partive nga populli. Partitë paraqiten para sovranit dhe jo populli para partive.
22 mars 2017
Partia Socialiste do të futet në zgjedhje edhe sikur të gjitha partitë e tjera të mos e bëjnë një gjë të tillë. Nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve, nuk do të ketë qeveri teknike. Me Saliun apo pa Saliun, me Lulin apo pa Lulin, në koalicion ose të vetëm, ne do të futemi në zgjedhje më 18 qershor.
Sikur askush të mos dojë të hyjë në zgjedhje, PS do hyjë në zgjedhje dhe do të marrë të 140 deputetët e Kuvendit e me votat e saj do kalojë vetingun dhe çdo ligj tjetër të Reformës në Drejtësi.
2 prill 2017
Demokracia as nuk i detyron të gjithë që të hyjnë në zgjedhje dhe kur nuk duan. Kjo është demokraci. Do të hysh në zgjedhje, hyn në zgjedhje. Nuk do të hysh në zgjedhje, nuk hyn në zgjedhje.
S’është puna jonë dhe se kemi fare merakun se mund të mbetet vendi pa opozitë. Kështu që asnjë merak për qeverinë teknike. Është guri i hedhur në lumin që ka marrë Partinë Demokratike.
5 prill 2017
Kushtetuta jonë është shumë e qartë, zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor.
Përgatiti Exit.al