Deputeti socialist Eduart Shalsi i ka quajtur sot aktivistët që kundërshtojnë ligjin e importit të plehrave “qaramanë”, ndërsa deputetët e opozitës “intrigantë e spekulantë”.
I intervistuar nga gazetarët në oborrin e Kuvendit, Zoti Shalsi pohoi:
“Përgjigja e BE-së [për ligjin e mbetjeve] ishte e pastër. Ndjehem i keqardhur sepse që nga ato pak qaramanë që kanë mbetur nëpër rrugë dhe deri tek ata pak intrigantë e spekulantë që gjenden edhe në parlament e kanë përdorur çështjen jo nisur nga qëllimi për një Shqipëri sa më të pastër, por thjesht nga përfitimet e tyre të ngushta personale.”
Në fakt, përgjigjia zyrtare e Bashkimit Evropian për ligjin e plehrave, hodhi poshtë një nga argumentet kryesore të qeverisë, atë se “ligji i importit të plehrave është kusht për integrimin e Shqipërisë në BE.”
Pavarsisht se qeveria pretendon se ligji, i cili lejon importin e plehrave, është në përputhje me “rregullat evropiane”, raporti i progresit i Komisionit Evropian theksonte se zbatimi i këtij ligji kërkon që Shqipëria të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, institucionet dhe një sistem për monitorimin kontrollues dhe raportimin e lëvizjes së plehrave.
Në vitin 2011, deputeti Shalsi ishte një nga zërat kryesorë kundër ligjit të importit të mbetjeve hartuar e miratuar nga qeveria Berisha dhe anullaur nga qeveria Rama në vitin 2013.
Në vitin 2016, Zoti Shalsi ishte një nga tre hartuesit e projektligjit të ri të importit të mbetjeve që ricikloi pothuajse fjalë për fjalë ligjin e vitit 2011.