Turqia është e gatshme të zhvillojë bisedime me talebanët nëse është e nevojshme, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të premten, raporton agjencia e lajmeve Anadolu.
“Nëse trokasin në derën tonë, ne do ta hapim atë për dialog,” u tha Erdogan gazetarëve.
Turqia ka bërë përpjekjet e nevojshme për zhvillimin e Afganistanit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, shtoi presidenti.
Ndërkohë qeveria turke po vazhdon përpjekjet për të kthyer shtetasit turq të bllokuar në Afganistan.
Sipas Erdogan, Turqia po strehon 300 mijë emigrantë afganë me dhe pa dokumenta të rregullta.
Erdogan deklaroi se turqit dhe afganët ndajnë të njejtën fe dhe për këtë arsye Turqia nuk do t’i mbyllë dyert për ta.
Turqia ka përfunduar ndërkohë më shumë se gjysmën e murit në kufi me Iranin me anë të cilit synon të frenojë fluksin e emigrantëve.
Qëllimi i murit është parandalimi i migrimit të parregullt, tha Erdogan, duke shtuar se qëndrimi i Turqisë ndaj emigrimit ilustrohet me faktin se ajo është shtëpia e gati 4 milionë emigrantëve sirianë.
Presidenti turk kritikoi vendet perëndimore dhe shtetet islamike për mungesën e interesit dhe kujdesit të tyre për Afganistanin gjatë dy dekadave të fundit.