EULEX u ka bërë presion drejtësisë për të dhënë vendime politike, deklaron ish-gjyqtari anglez

Nga Die Morina Van Uijtregt
EULEX u ka bërë presion drejtësisë për të dhënë vendime politike, deklaron ish-gjyqtari anglez

Malcom Simmons, ish kryegjyqtari i Misionit të Zbatimit të Ligjit në Kosovë, EULEX, akuzoi EULEX se rastet e dëgjuara nga misioni kundër anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK ishin subjekt i ndërhyrjes politike.

Simmons, i cili është në pritje të dëgjesës në Parlamentin e Kosovës, foli për Exit News duke deklaruar se Charles Smith, ish-President i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX, bazoi vendimet e tij në “arsye politike”.

Në një email të parë nga Exit News, Smith i kërkoi Simmons që cështja kundër drejtuesit të UÇK-së Ftamir Limaj — i njohur me emrin çështja “Kleçka” — të programohet për një gjyq “ASAP”.

Në emailin e tij të dërguar më Janar 2013, Smith deklaron se kërkesa erdhi për një sërë arsyesh, “kryesisht politike”. “Unë shpresoj që ju të merreni me këtë çështje dhe ta zgjidhni shpejt”, shkroi ai.

EULEX e dërgoi për gjykim çështjen Kleçka në vitin 2011 dhe gjyqi nisi në Janar 2012, duke u bazuar kryesisht në dëshmi të dëshmitarit kryesor Agim Zogaj, i cili u vetvra gjatë kohës që ndodhej nën mbrojtjen e EULEX në Gjermani.

Pasi Limaj u lirua nga akuzat në 2012, Gjykata Supreme e Kosovës urdhëroi një rigjykim dhe Limaj u burgos.

Fatmir Limaj dhe 9 anëtarë të tjerë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte, për tortura të qytetarëve civil serbë dhe shqiptarë dhe të burgosur në burgun e Kleçkës, në vitin 1999.

Çështja u mbyll në Maj të 2017-ës kur Gjykata Supreme e Kosovës lëshoi një vendim ku rrëzoi akuzat për krime lufte kundër Limajt.

EUELX kundër SIMMONS

I kontaktuar nga Exit News për të komentuar mbi pretendimet e Simmons, EULEX deklaroi se gjykatësit dhe prokurorët e tij ishin autonomë dhe të pavarur. Ata hetuan dhe gjykuan bazuar në ligj.

Në lidhje me deklaratat e Simmons, të cilat EULEX i përshkruan si “të njëanshme dhe të pakonfirmuara”, misioni thotë se Malcolm Simmons “refuzoi të bashkëpunonte me një ekip hetimi të udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, i cili u krijua për të hetuar shkeljet e pretenduara të raportuar prej tij. ”

“Kur iu dha mundësia për të provuar pretendimet e tij, zoti Simmons dështoi t’i sigurojë ekipit hetimor ndonjë provë për të mbështetur pretendimet e tij,” shkruhet në përgjigjen me shkrim të EULEX.

Për më tepër, sipas EULEX-it, një hetim i pavarur i udhëhequr nga një ish-gjykatës i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë shqyrtoi pretendimet e shkeljeve nga Simmons në tre çështje individuale gjatë kohës së tij si gjykatës për EULEX.

Ndërsa hetimi u finalizua, çdo vendim përfundimtar se si të procedohej me akuzat kundër Simmons për shkelje iu referua Zyrës së Jashtme në Mbretërinë e Bashkuar, si autoriteti i tij dytësor.

Sidoqoftë, Simmons thotë se procesi disiplinor ishte “një tallje”.

“Procesi u krijua për të dhënë idenë e të qenit i besueshëm dhe i ligjshëm,” pretendoi Simmons në një intervistë për Exit News.

Ai shtoi se hetuesit, duke përfshirë edhe atë të udhëhequr nga ish-gjyqtari i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, kishin në dorë postën e tij elektronike private.

Ai pretendoi se vetëm pasi një gjykatës i një vendi anëtar të BE-së, i punësuar nga EULEX, hakëroi postën e tij elektronike private, atëherë Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm filloi procedurat disiplinore kundër tij.

LEXO  Bizneset preferojnë largimet nga puna përpara huasë me garanci sovrane

Simmons tha se emailet zbuluan se ai ishte një sinjalizues që raportoi tek Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe agjencia e BE-së kundër mashtrimit “çështje me shqetësim serioz brenda EULEX”.

Exit News ka parë një email të dërguar një zyrtari të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në 2013, përmes të cilit Simmons ngre këto shqetësime duke përmendur një bisedë që ai mbajti me Charles Smith për çështjen Kleçka.

Në një email konfidencial të dërguar më 11 Korrik 2013, Simmons citon se Smith ka thënë “E dini që misioni po pret dënime?”.

“Ndërsa u ndamë […] ai [Smith] tha “fatkeqësisht do të ketë shkurtime të vendeve të punës si pasojë e ristrukturimit… të shpresojmë që nuk do të humbas gjyqtarët e mi më të mirë”. Unë u sigurova nga ato që ai po më thoshte, ”shkroi Simons.

“Qëllimi i procesit disiplinor ishte të më hiqte mua,” këmbënguli Simmons gjatë intervistës.

“Sidoqoftë, siç do të tregoj, procesi ishte i mangët dhe u manipulua nga EEAS […] me bashkëpunimin e anëtarëve të bordeve disiplinore,” shton ai.
Aktualisht, Charles Smith është një nga gjyqtarët ndërkombëtarë të emëruar për të shërbyer në Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) me qendër në Hagë.

Zyra e Prokurorit Specialist (SPO) dhe KSC u krijuan nga parlamenti i Kosovës me këmbëngulje e ndërkombëtarëve në gusht 2015. Ai pasoi një raport të Këshillit të Evropës në 2011 në të cilin Senatori Zviceran Dick Marty adreson krimet e pretenduara që “anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [kishin kryer] kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë” nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Disa zyrtarë të lartë të UÇK-së janë paditur nga SPO dhe KSC deri më tani. Midis tyre, ish-Presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e parlamentit Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi po përballen me akuza për krime lufte ndërsa mbahen në ambientet e paraburgimit në Hagë.

Qendra e paraburgimit në Kleçka përmendet gjithashtu në aktakuzën e konfirmuar kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

“Midis të paktën nëntorit 1998 dhe qershorit 1999, disa anëtarë të UÇK-së arrestuan të paktën 20 persona për periudha të ndryshme kohore dhe pa procedurë të rregullt ligjore në një shtëpi dhe ndërtesat përreth afër Kleçkë / Klečka, Lipjan / Lipljan. Të paraburgosurit u lidhën, dhe u mbajtën me roje të armatosur. Në vitin 1999, shumë anëtarë të UÇK-së, përfshirë Kadri VESELI, Rexhep SELIMI, Jakup KRASNIQI dhe Fatmir LIMAJ, ishin të përfshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit dhe / ose lirimit të të arrestuarve të mbajtur në vendin e paraburgimit afër Kleçkë / Klečk”, lexon aktakuza e SPO-s.

Exit News kontaktoi me KSC, duke pyetur se si kërkesa e pretenduar e Charles Smith që rasti i Kleçka të gjykohet sa më shpejt të jetë e mundur, për shkak të “arsyeve politike”, do të ndikonte në besueshmërinë e KSC.

“Këto pretendime janë ngritur nga Z. Simmons në lidhje me çështjet gjyqësore të tij në lidhje me punësimin e tij në EULEX dhe Zyrën e Jashtme Britanike. Ne nuk komentojmë pretendime të tilla”, tha zëdhënësja e KSC, Angela Griep për Exit News në një përgjigje me shkrim.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>