Eurodeputeti Fleckenstein sqaron: Plotësoni pesë kushtet, më pas hapen negociatat me BE

Eurodeputeti Fleckenstein sqaron: Plotësoni pesë kushtet, më pas hapen negociatat me BE

Eurodeputeti Knut Fleckestein rikujtoi sërish sot qeverisë Rama se zbatimi i plotë i reformave dhe plotësimi i pesë kushteve, përfshi luftën ndaj krimit dhe kanabisit, janë thelbësore për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në përfundim të vizitës dy ditore, Eurodeputeti sqaroi se BE nuk i ka vënë asnjë kusht shtesë Shqipërisë, përveç kushteve që janë miratuar nga PE: lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër drogës, dekriminalizimi, zbatimin e reformës në drejtësi dhe zgjedhjet e lira:

“Unë nuk shoh ndonjë kusht shtesë. Ne gjithnjë kemi folur në lidhje me zgjedhjet dhe pesë prioritetet kyçe dhe faktin se ato duhet të zbatohen.”

Zoti Fleckenstein theksoi në mënyrë të veçantë si “çështje vërtetë serioze” situatën e kanabisit në Shqipëri:

“Do të presim raportin që do të na sjellin kolegët tanë italianë që kanë fluturimet që bëjnë mbi Shqipërinë dhe do të na tregojnë se cila është situata në vend.

Por është vërtetë çështje serioze dhe ajo që duam të shikojmë ne [BE] është jo vetëm vullneti i mirë sa i përket kësaj çështje, por edhe që vërtetë do të bëhet punë për të pasur një situatë më të mirë në të ardhmen.”

Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërnë në Parlamentin Evropian, shprehu mbështetjen për qeverinë në vazhdimin e reformave, por theksoi se ai dhe kolegët e tij në PE nuk e kanë në dorë vendimin për hapjen e negociatave:

“Përgjegjësia për marrjen e vendimit për çeljen e negociata është e Këshillit dhe jo e Parlamentit Europian. Unë dëshiroj të konfirmoj se në PE do të vazhdojmë të inkurajojmë Komisionin Europian apo Këshillin në mënyrë që negociatat me Shqipërinë të çelen gjysmën e parë të vitit tjetër që vjen, gjithmonë, nëse Shqipëria vazhdon me reformat.”

Me anë të këtyre deklaratave, eurodeputeti Fleckenstein duket se ka sqaruar dhe Kryeministrin Rama, për të cilin “lufta ndaj krimit të organizuar” është një kusht që BE e ka vënë vetëm se fundmi ndaj Shqipërisë, si mënyrë për të shtyrë sa më shumë integrimin e vendit në BE.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>