´Në Srebenicë, Europa dështoi. Gjenocidi i Srebenicës mbetet ende një plagë e hapur në zemër të Europës.´
Kështu deklaroi të premten eurokomisioneri Oliver Varhelyi në një seancë përkujtimore në Parlamentin Europian për 25 vjetorin e masakrës së Srebenicës.
Eurokomisioneri u shpreh:
´Srebenica vazhdon të na kujtojë përgjegjësinë tonë të përbashkët për të parandaluar që gjenocidi të ndodhë përsëri. Prandaj, është detyra jonë që ta kujtojmë Srebrenicën përgjithmonë.
Është po ashtu detyra jonë që të sigurojmë dhënien e përgjegjësisë.
Drejtësia duhet të vihet dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për masakrën, duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.
25 vjet më vonë, është më urgjente se kurrë që t’i jepet fund mosndëshkimit për kryerësit e krimeve të luftës.´
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës, drejtuar nga Ratko Mllaqiç, kanë vrarë 8372 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, zonën që ishte e shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.