
Partia Demokratike ka denoncuar, të mërkurën, rastin e dy familjeve në Bubq, të cilët që prej tërmetëve të vitit të kaluar, vazhdojnë të jetojnë në çadra pa asnjë mbështetje.
Përmes një videoje për PD-në, Martin Jaku, banor në fshatin Mallkuçi, tregoi se që prej 21 shtatorit 2019, familja e tij prej shtatë pjestarësh, jeton në një çadër.
Përpos mungesës së ndihmës nga shteti, ai thotë se institucionet shtetërore kanë qenë pengesë për ndërtimin e shtëpisë së tij, që do t’ia bënin disa fondacione fetare, pasi tek bashkia i kanë kërkuar 5 mijë euro për lejen e ndërtimit.
Ndërsa Indrit Prena tregoi se familja e tij prej pesë anëtarësh jeton në një kontenier prej 10 muajsh, pasi shtëpia e tij u dëmtua rëndë nga tërmeti.
Ai tha se as bashkia dhe as përfaqësues të qeverisë nuk i kanë vizituar për të parë kushtet ku jetojnë dhe për t’i treguar se ç’do të bëhet në të ardhmen me shtëpinë e tij.
Të dëshpëruar për situatën, dy kryefamiljarët kërkuan nga shteti një reagim sa më të shpejtë, pasi me ardhjen e dimrit, jetesa në çadra bëhet e pamundur.