Fati i qeverisë me tërmetin: propagandë dhe turizëm sizmiologjik

Nga Ergys Mërtiri
Fati i qeverisë me tërmetin: propagandë dhe turizëm sizmiologjik

Momentet e tmerrit nga një shkundje me intensitet 7.5 ballë shkaktojnë pa dyshim efekt psikologjik mbi turmat. Ngjarja pushton vëmendjen e publikut, ajo bëhet e vetmja gjë për të cilën flitet, dhe shumëfishohet duke u treguar e ritreguar prej gjithkujt.

Menjëherë pas ndalimit të lëkundjeve, të gjithë flasin vetëm për tërmetin, shpjegojnë e rishpjegojnë për të njëqindtën herë momentet e panikut; ku ishin, çfarë po bënin dhe si reaguan kur po ndodhte tmerri, diskutojnë mbi dëmet, raste të ngjashme nga e kaluara apo nga bota, si dhe mbi natyrën e tërmetit si fenomen natyror. Të gjithë bëhen sizmiologë në këto raste.

Tërmeti u pasua nga një tërmet statusesh në Facebook dhe lajmesh televizive e dixhitale, me magnitudë edhe më të madhe, gjatë gjithë ditës. Rrjetet sociale gëluan me reagime, raportime, refleksione mbi ngjarjen, e madje nuk mungoi as edhe humori, gallata apo edhe cinizmi snob, nga karaktere që preferojnë të shfaqen ndryshe nga të tjerët, duke bërë të njëjtën gjë, në një tjetër mënyrë.

Lëkundja zgjati vetëm pak sekonda, por vazhdon të mbllaçitet pareshtur në publik, derisa valët tani të përforcuara mediatike të shuhen plotësisht dhe tema të mos ngjallë më interes. Të gjithë duan të jenë protagonistë, pjesëmarrës, dëshmues… Efekti imitues i turmave, i përforcuar aq shumë nga mediat, të cilat e kanë për zanat të shtojnë ujë e miell mbi sahanin bosh të komunikimit, i shtyn të gjithë të bëhen pjesë e ngjarjes, e cila vazhdon jehonën e saj, ndonëse ngjarja vetë ka kaluar.

Natyrisht, kryeprotagonisti i çdo ngjarjeje në këtë vend nuk mund të mungojë. Katastrofat natyrore, momentet e ankthit dhe frikës kolektive, janë të shkëlqyera për marketing, ndaj dhe, një qeveri që i krijon artificialisht rrethanat për propagandë, nuk mund ta humbasë rastin.

I bërë gati për të udhëtuar nga Frankfurti për në New York, Kryeministri Rama ndërpreu gjithçka dhe u kthye urgjentisht në Tiranë, për të qenë në krye të “punëve” në menaxhimin mediatik të tërmetit. Një mbledhje qeverie deri vonë pas mesnate ishte hapi i parë i kësaj fushate, për të vazhduar më pas gjatë gjithë ditës së nesërme me aktivitete, ku altoparlantët buçasin së treguari se “shteti është në këmbë” për të ndihmuar qytetarët.

Sigurisht, shteti, që është thuajse i gjithi në duart e kësaj qeverie, është gjithmonë në këmbë kur nuk ka punë për të bërë, por ku ka mundësi për propagandë. Qëllimi i tij i vetëm është t’u mbushë mendjen qytetarëve se ai është pranë tyre, ndërkohë që vepron gjithmonë kundër tyre.

Njerëzit priren ta zbusin inatin kur dikush të ngushëllon në një rast fatkeqësie, qoftë edhe sa për të larë gojën. Solidariteti në frikë apo fatkeqësi e zhvesh njeriun nga problemet me të tjerët dhe kjo vlen edhe për qeverinë.

Në realitet, mbledhja reale e qeverisë nuk ishte gjë tjetër vetëm se një plan masash publicitare, për të ushqyer turmat me propagandën e rastit. Qeveria nuk ka punë dhe detyrë tjetër përveç kësaj, edhe në ditë të zakonshme, kur diskuton vetëm sesa Like apo Share ka bërë çdo degë partie, ministri a agjenci. Kjo ishte mbledhja e parë e qeverisë e transmetuar live në televizion pas kaq vitesh.

Spektakli i “shtetit të ngritur në këmbë” vijoi me mbledhje e takime, ku Rama iu kërkoi të gjithëve– deputetë, trejtues ministrish, kryetarë bashkish,– të jenë në Durrës për të ndihmuar çdo familje që ka nevojë. Nuk ka rëndësi se çfarë nevojash ka dhe a zgjidhen apo jo, rëndësi ka që shteti të jetë aty në këmbë, duke bërë sikur po vepron.

Në fakt, banorët e Durrësit nuk kanë shumë nevojë për strehim në kampingje çadrash nëpër stadiume, por për kompensime dëmesh materiale, të cilat kjo qeveri ka dhënë prova që nuk i bën, megjithëse përgjithësisht i premton kur ka ngjarje të tilla. Sapo situata kalon dhe gjërat futen në rutinën e tyre të përditshme, premtimet hyjnë në procedura zvarritjesh, deri sa çështja harrohet plotësisht.

Në stadiumin “Niko Dovana”, të strehuarit nuk ngjanin fare si të mbijetuar nga ndonjë katastrofë natyrore, por si njerëz që kishin ardhur aty për pushime. Ata ishin të pashqetësuar, të qeshur, të kënaqur për ardhjen e kryeministrit, madje i puthnin atij duart, duke shprehur mirënjohjen e thellë për çfarë ai “kish bërë për ta” – ndonëse askush nuk e bëri të qartë se çfarë konkretisht kishte bërë ai. Siç u shprehën disa prej tyre, ata ndodheshin aty jo pse u ishin shembur shtëpitë, por sepse kishin frikë të qëndronin në to, për shkak të lëkundjeve të vazhdueshme.

Eshtë një rast unikal ku shteti ngre emergjencat civile për të evakuuar viktima të frikës nga një katastrofë e mundshme, pasi rreziku ka kaluar. Si një bujar i madh, Kryeministri ofron mundësitë edhe për qetësi psikologjike për qytetarët, duke iu ofruar madje edhe kavalishencën si njërën ndër mundësitë e tyre për të qëndruar, nëse nuk iu pëlqejnë çadrat. Pse jo, ndoshta pak plazh në këto ditë ende të nxehta shtatori nuk do të ishin keq.

Qeveria po krijon kështu mundësitë për një formë të re shërbimi të emergjencave civile, atë të turizmit sizmiologjik në rast katastrofash të pandodhura natyrore. Cilido që ka dëshirë, mund të shfrytëzojë rastin, sa nuk ka kaluar ngjarja dhe gjërat të rikthehen në normalitet.

Për kompensime financiare në përballimin e dëmeve as që bëhet fjalë tani për tani, ca me pak pas kësaj vale vëmendjeje. Shteti do të jetë në këmbë për sa kohë kamerat do të jenë ndezur ndaj pasojave të tërmetit. Më pas problemet e të dëmtuarve nuk do të përbëjnë më lajm.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>